Lajme

Edisa Shahini: Mos e ndiqni modën, krijoni stilin tuaj personal

E pasionuar pas modës, udhëtimit dhe stilit të bukur të jetesës, Edisa Shahini njihet si një nga blogeret më të njohura në Austri dhe jashtë saj.

Nga viti 2003 vajza nga Prizreni është zhvendosur për të jetuar në Vjenë. Në universitetin e Vjenës, Edisa ka studiuar për shkenca të komunikimit dhe në degën e gjuhës dhe letërsisë gjermane. Pas përfundimit të studimeve dhe pas angazhimeve të saj në punë të ndryshme në marrëdhënie me publikun si dhe bashkëpunimit me agjenci të ndryshme apo revista të modës online, Edisa themeloi blogun e saj “disicouture.com” dedikuar modës dhe komunikimit. Stili i saj plot hijeshi dhe veshjet elegante kanë bërë që Edisa të ndiqet nga qindra mijë njerëz, qoftë në blog apo në faqet e saj në rrjetet sociale. Në vitin 2016, Edisa u shpall blogerja më e mirë në Austri.

Albinfo.at: Jeni e njohur si blogere e modës në Austri. Revista „Madonna“ në vitin 2016 ju ka shpallur si blogere më e mirë në Austri. Sa ka ndikuar kjo në punën dhe karrierën tuaj profesionale? Si keni arritur të bëheni e famshme si blogere?

Edisa Shahini: Fama nuk ka ndodhur brenda natës, por gradualisht, duke vazhduar punën dhe duke punuar çdo ditë. Sigurisht që ky event ka pasur ndikim shumë pozitiv në karrierën time si blogere. Kisha mundësi të prezantohem në shumë media, të jap shumë intervista për mediat austriake, lindën bashkëpunime të reja me brende të ndryshme, ftesa në shumë evente etj.

Ju keni një blog tuajin “disicouture.com” ku shfaqen fotografi dhe tekste të ndryshme, qoftë në Vjenë apo edhe nëpër qytete të ndryshme të botës. Shumëkush mund të mendojë se ju shkoni vetëm për shëtitje. Përballeni me paragjykime?

Po, ka shumë njerëz që kanë paragjykime dhe në radhë të parë nuk e shohin blogun si profesion. Kur udhëtoj, postimet e mia në vendet e bukura japin ndjesinë që unë vetëm kënaqem duke pirë cocktail ose duke qëndruar në hotele luksoze. Në fakt realiteti është plotësisht ndryshe. Vetëm imagjinoni një ekip produksioni të një publiciteti, ku bëjnë pjesë: fotografi, modelja, grimuesja, stilisti i veshjeve, dhe ndoshta edhe një person që organizon gjithë këtë produksion. Unë si person, duhet të funksionoj si një ekip produksioni dhe t’i menaxhoj të gjitha vetë. Para udhëtimeve organizoj bashkëpunimet me hotele, ku zakonisht qëndroj dy-tre net falas si shkëmbim për të krijuar publicitet për hotelin. Organizimi i udhëtimit, organizimi i veshjeve dhe i fotografes që udhëton me mua. Pastaj kur jemi në lokacion, dita e parë shkon duke planifikuar se ku do të bëhen fotot dhe zakonisht dita e dytë është e planifikuar të punoj që nga lindja e diellit deri në perëndim. Kur mbarohet puna me fotografimin e hotelit dhe veshjeve, në darkë është koha për t’i postuar të gjitha në “Instagram stories”. Në ditën e tretë bëjmë check-out nga hoteli. Pastaj në rrjetet sociale i postoj për disa ditë fotot që janë prodhuar në një ditë. Pra, kjo i bën  ndjekësit të mendojnë që unë kam kaluar kohë të lirë aty dhe me shumë se vetëm tri ditë.

Fotot që shohim, duket se janë të gjitha të detajuara dhe më shumë stil. A është e vështirë që kjo punë të dalë e suksesshme?

Fotografia ka qenë gjithmonë pasioni im. Ato që shihni në blogun tim edhe në rrjetet sociale, janë të planifikuara mirë dhe gjithmonë mundohem që çdo foto të ketë një storje. Natyrisht, kur je një detajist dhe perfeksionist, mundohesh të japësh maksimumin edhe në këtë punë. Por, vështirësitë ekzistojnë, sepse mund të ndodhin gjëra të paplanifikuara, si shembull: moti i papërshtatshëm ose lokacioni jo i duhur!

Përveç blogut tuaj, ju keni shumë ndjekës edhe në Instagram dhe rrjete të tjera sociale. A mund të na tregoni për dallimin në mes blogut dhe rrjeteve sociale?

Dallimi në mes të blogut dhe rrjeteve sociale është, njëra (blogu) është webfaqe të cilën e kam krijuar unë dhe kam kontrollin e plotë se çfarë ndodhë nga ana teknike dhe e dizajnit. Sa u përket rrjeteve sociale, ato janë aty sot por, askush nuk e di sa kohë edhe a do ketë diçka të re në të ardhmen.

Cili është qëllimi juaj që të prezantoni para publikut dhe atyre që ju ndjekin përmes këtij blogu?

Qëllimi im kryesor është t’i frymëzoj lexuesit anembanë botës, qoftë për stilin e veshjes, jetesës, udhëtimeve, këshilla për gjërat e përditshme etj.

Kush ju ndjek juve dhe përse?

Sipas statistikave, lexuesit e mi kryesisht vijnë nga shtetet gjermano-folës, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria.

Keni marrëveshje me kompani dhe brende të njohura të modës në botë. Me cilat kompani bashkëpunoni dhe si funksionon bashkëpunimi juaj me to?

Gjatë gjithë këtyre 9 viteve kam pasur rastin të bashkëpunoj me emra prestigjioz sikur, “Breitling”, “Sensai Cosmetics”, “Dior Beauty”, “Longines”, “Lacoste”, “Dyson”, “Sisley Cosmetics”, “Omega Watches” etj.

Ju i mbeteni besnike stilit tuaj, një stil i veshjes më shumë elegancë. I përzgjedhni ju veshjet apo ua cakton kompania çfarë veshjesh duhet të reklamoni në blogun e juaj?

Nuk jeni të parët që më thoni këtë. Kjo më gëzon shumë të marr këtë “feedback” për të qëndruar njësoj dhe besnike stilit tim. Pikërisht ky dhe ka qenë qëllimi im që nga fillimi – të jem autentike dhe t’i frymëzoj të tjerët me atë si jam unë, e jo si duhet të bëhem unë. Veshjet gjithmonë i zgjedh unë, dhe askush nuk mund të më imponojë të vesh diçka që nuk më pëlqen ose vetëm për të bërë publicitet. Ka pasur shumë raste që kërkesat për bashkëpunime i kam anuluar, sepse brendet që deshën të bashkëpunojnë nuk janë përshtatur me stilin tim.

Ju keni studiuar për gjuhë dhe letërsi gjermane në Vjenë, por nuk e ushtroni këtë profesion. Duket se hobi i juaj për modën tashmë është shndërruar në profesion tuaj primar. Nëse e shohim nga ana e interesit financiar, të përmbush nevojat tuaja kjo lloj pune?

Unë nuk merrem vetëm me modë, por edhe me shkrime dhe shumë gjëra tjera kreative. Prandaj, jam e lumtur që kam studiuar diçka, që ka të bëjë edhe me hobin dhe punën që e praktikoj sot, por me mënyrë me të avancuar edhe me moderne. Domethënë, në vend se të kem një punë nga ora 9.00 -17.00 në një zyrë si lektore, gazetare ose PR menaxher, unë i bëj të gjitha vetë në mënyrën time dhe punoj kur kam dëshirë dhe kudo që jam. Sa i përket anës financiare patjetër qe mi përmbush nevojat, përndryshe do të kisha bërë diçka tjetër.

Me siguri se njihni edhe shqiptarë që jetojnë në Austri, veçanërisht në Vjenë. Si ju duket stili i veshjes së shqiptarëve në Austri, por edhe në përgjithësi në diasporë? Çfarë ju rekomandoni për veshje?

Nuk jam person që gjykoj të tjerët, dhe sinqerisht nuk shoh shumë shqiptarë në Vjenë. Ndoshta sepse dal shumë rrallë, dhe aty ku shkoj nuk shoh shqiptarë. Por, ata që i njoh personalisht, vishen bukur dhe me shije. Sa i përket rekomandimit, do të thosha që të mos t’i ndjekin trendët, por të krijojnë një stil personal. Të investojnë në gjëra me kualitet, dhe jo vetëm pse tani është diçka në trend edhe të blejnë fast fashion. Ka ardhur koha që duhet të vetëdijesohemi për mjedisin ku jetojmë. Ne jemi të parët që e shkatërrojmë natyrën edhe detërat duke blerë gjëra pa vlerë që zgjasin vetëm një sezon. Prandaj, qëndrueshmëria është temë e rëndësishme edhe në modë dhe shpresoj që të gjithë do të janë me të kujdesshëm se çfarë blejnë.

A mund të na jepni disa tendenca të modës dimërore për këtë vit, por edhe për pranverën e vitit të ardhshëm?

Tendencat e modës për vjeshtë/dimër 2019/20 kanë nga diçka për çdo shije. Xhaketat prej lëkure janë një ndër tendencat e këtij sezoni, prints shumëngjyrëshe, animal prints, gjithashtu pendët, dhe triko të thurura. Materiale me katrore, veshje të thurura, kostume elegante, dhe pelerinat. Sa u përket tendencave të modës për pranverën 2020 vijnë nga veshje të thurura me grep e deri në veshje me pikat grafike. Po ashtu një vështrim në dekadat e kaluara përmes jakave të gjera, pendëve, pantallonave të stilit të viteve 70-ta, ngjyrat neon etj.

Si e shihni perspektivën tuaj në këtë drejtim dhe në përgjithësi?

Vitin tjetër do bëhen 10 vite që jam në këtë biznes, dhe planifikoj të vij me disa risi. Se çfarë do të jetë nuk mund të them, por ata që më ndjekin, do ta shohin.

Box

Të vetëdijesohemi për mjedisin

Ka ardhur koha që duhet të vetëdijesohemi për mjedisin ku jetojmë. Ne jemi të parët që e shkatërrojmë natyrën edhe detërat duke blerë gjëra pa vlerë që zgjasin vetëm një sezon. Prandaj, qëndrueshmëria është temë e rëndësishme edhe në modë dhe shpresoj që të gjithë do të janë me të kujdesshëm se çfarë blejnë.

Box 2

Punë që më përmbush

Jam e lumtur që kam studiuar diçka, që ka të bëjë edhe me hobin dhe punën që e praktikoj sot, por me mënyrë me të avancuar edhe me moderne. Domethënë, në vend se të kem një punë nga ora 9.00 -17.00 në një zyrë si lektore, gazetare ose PR menaxher, unë i bëj të gjitha vetë në mënyrën time dhe punoj kur kam dëshirë dhe kudo që jam. Sa i përket anës financiare patjetër qe mi përmbush nevojat, përndryshe do të kisha bërë diçka tjetër

 

P.S: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at