Integrimi

Gjakovarja që “vesh” zviceranët

Nuk ka ndonjë udhëzim tjetër për sukses përveç punës dhe përkushtimit në çdo detaj, thotë Florida Dula, pronare e ateliesë së rrobaqepjes në Horgen të Cyrihut

Në vitin `89 edhe familja Dula nga Gjakova migron në Zvicër. U vendosën të jetojnë në një rreth tjetër shoqëror e kulturor por u adaptuan shpejt duke e mësuar gjuhën dhe zakonet e vendit. Falë talentit të rrobaqepësisë, Florida Dula punësohet si udhëheqëse e sektorit të rrobaqepësisë në një firmë të njohur zvicerane. “Ishin komplimentet e klientëve dhe mbështetja e bashkëshortit tim, Gencit, që më bënë që me hapa të shpejtë të krijoj atelienë time të pavarur”, shprehet për albinfo.ch zonja Dula. Tani janë bërë 13 vite që kur ajo udhëheq atelienë e saj në qytetin e bukur të Horgenit, ku përveç qepjes së rrobave të reja për femra e për meshkuj sipas dëshirës së klientëve, ajo edhe këshillon klientët, për veshjen në trendit të modës apo për mbathje e aksesorë të ndryshëm të tregut aktual.

Dizajnere e pranuar në një kulturë tjetër

Edhe si fëmijë e kishte dashur shumë tekstilin dhe krijimet me gërshërë, pa e menduar se një ditë ky hobi do t`i bëhej edhe profesion. Duke i qëndruar besnike vullnetit por edhe kohës e kualiteti, me qëllim që dëshirat e klientëve të përshtaten sa më mirë, si në prerje, ngushtime, zgjerime, po ashtu edhe për hekurosje me hekur antik dhe shumë profesional për një qëndrueshmëri të gjatë të formës së rrobave… Profesioni i rrobaqepësisë është një art që mbështetet në kodin e veshjes. E pyetur se sa ka qenë e vështirë për zonjën Dula të behet dizajnere në një kulturë tjetër, duke pasur parasysh se klientët tuaj janë zviceranë, ajo thotë se nuk ka pasur ndonjë vështirësi të posaçme. “Jo, për këtë nuk kam pasur veshtirësi, ndoshta falë integrimit tim të suksesshëm. Pastaj unë mendoj se ne s`kemi edhe aq shumë dallim në kodet e veshjes, në këtë aspekt ngjajmë shumë me zviceranët. Por zviceranet kanë një vlerë që i dallon në cilësinë e ruajtjes së gjërave e dhuratave. Ata i ruajnë rrobat duke i mirëmbajtur me ndihmën e rrobaqepësit apo edhe me kujdesin e vet e sidomos kur i kanë dhuratë ose kujtim nga vendi ku i kanë blerë”, përgjigjet ajo.

Dhjetë vitet e para kam pasur një atelie në një qendër tregtare në Horgen, tregon për albinfo.ch zonja Dula, por për arsye të renovimit dhe për shkak se profesioni im kërkon qetes, tani jam vendosur në një atelie që eshtë shumë afër qendrës së qytetit por në një vend pak më të qetë. Këtu kam formuar rethin tim por edhe kam gjetur qetësinë e pershtashme për punë e krijim.

Ndoshta një ditë bëhem edhe me markën time të veshjeve

Në atelie bien në sy shumë rroba të bukura nga dizajni personal i saj dhe nga kreatorët e njohur botëror. Për këtë arsye e pyetëm zonjën Dula nëse ka menduar që si kreatore të krijojë koleksionin e saj dizajnues, markën personale të modës dhe të organizojë ndonjë sfilatë në Zvicër apo edhe në trojet tona?  “E kam menduar disa herë. Ne vërtetë jetojmë në një vend ku mundësitë janë të jashtëzakonshme sidomos në kreacionin e modës, por të jesh nënë e tre fëmijeve dhe njëherësh e angazhuar në biznes, nuk është edhe aq e lehtë. Nuk i dihet, ndoshta në të ardhmen do të investoj edhe në këtë drejtim, por tani për tani jam e kënaqur me sukseset e fëmijëve, e me shumë e shumë angazhime që kam edhe në atelie, por për fat unë kam edhe mbështetjen e bashkëshortit tim në këtë biznes”, përgjigjet zonja Dula. Veshja e bën njerinë, thotë një fjalë e urtë. Për atelienë saj fliten fjalë të mira. Po si do ta përshkruante zonja Dula recetën e suksesit të saj? “Nuk ka ndonjë udhëzim tjetër përveç punës dhe përkushtimit në çdo detaj, si zgjedhja dhe dashuria ndaj ngjyrave, pastaj këshilla e besueshme, përmasat e përshtatshme, kulturë në veshje…etj. Por edhe është faqja ime informuese www.schneideratelie-florida.ch që i sjellë klientët e rinj. Informimi i sjell e besimi i mban pranë atelies. Faktorë primarë të suksesit janë kreativiteti dhe idetë, tha zonja Dula për albinfo.ch.

Ku dallojnë zviceranët në kodin e veshjes nga të tjerët?

Unë mendoj se ne s`kemi edhe aq shumë dallim në kodet e veshjes, në këtë aspekt ngjajmë shumë me zviceranët. Por zviceranet kanë një vlerë që i dallon në cilësinë e ruajtjes së gjërave e dhuratave. Ata i ruajnë rrobat duke i mirëmbajtur me ndihmën e rrobaqepësit apo edhe me kujdesin e vet e sidomos kur i kanë dhuratë ose kujtim nga vendi ku i kanë blerë”, përgjigjet ajo.