Lajme

Gjermania do të përdorë medikamente për COVID që ndihmuan ish-Presidentin Trump

Gjermania do të bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që fillon të përdorë të njëjtin trajtim eksperimental të antitrupave që ka përdorur Donald Trump të shërohet nga Covid-19, tha ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, të dielën, përcjell albinfo.ch.

“Qeveria ka blerë 200,000 doza për 400 milionë euro”, i tha Spahn gazetës Bild, duke punuar me 2,000 euro për dozë. Të ashtuquajturat kokteje antitrupi monoklonal do të vendosen në spitalet universitare në javën e ardhshme, tha ai, duke shtuar se Gjermania ishte “vendi i parë në BE” që i përdor ato në luftën kundër pandemisë.

Spahn nuk e përmendi emrin e prodhuesit që do të furnizojë ilaçet, por konfirmoi se ishte i njëjti ilaç që i jepej presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, kur ai u sëmur me Covid-19 tetorin e kaluar.

“Ata punojnë si një vaksinim pasiv. Administrimi i këtyre antitrupave në fazat e hershme mund të ndihmojë pacientët me rrezik të lartë të shmangin një progres më serioz”, tha tutje Spahn.

Trump, i cili u shtrua për pak kohë në spital me koronavirus, iu dha terapia me antitrupa e zhvilluar nga firma amerikane Regeneron, e njohur si REGN-COV2, edhe para se trajtimi të kishte marrë miratimin e rregullatorit. Ai më vonë tha se ilaçi bëri “një punë fantastike”, përcjell tutje albinfo.ch.