Lajme

Ilira Gashi, “këngëtarja më e dëgjuar zvicerane pas Tina Turner-it”

Pas Tina Turner (diva e madhe, e cila jeton në Zvicër), Ilira është këngëtarja më e dëgjuar zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify

Praktikisht asnjë këngëtar/e tjetër nga Zvicra nuk ka aktualisht sukses ndërkombëtar sa Ilira (Gashi). Ajo, 25 vjeçja nga Köniz-i i Bernës tashmë po brohoritet si mbretëresha e re e pop-it dhe është jashtëzakonisht e suksesshme edhe në kohën e koronës, kur janë të mundshme vetëm paraqitjet në internet, shkruan blick.ch.

Këngët e këngëtares nga Zvicra, prindërit e së cilës vijnë nga Shqipëria dhe Kosova, janë klikuar mbi 50 milion herë vetëm në YouTube, transmeton albinfo.ch. Pas Tina Turner (diva e madhe e muzikës, e cila jeton në Zvicër), Ilira është këngëtarja më e dëgjuar zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify.

“Kjo gjë më emocionon shumë pasi që është një ndjenjë e pabesueshme ta marr këtë njohje në vendin e lindjes”, thotë Ilira. “Jam shumë krenare për këtë”.

Gjithsesi, kriza e Koronës e ka sjellë atë edhe më pranë fansave të saj, shpjegon ajo, përcjell albinfo.ch. “Unë marr shumë mesazhe në Instagram nga njerëz që shpesh më japin hollësi për tema shumë private. Kjo afërsi me fansat e mi që marr në internet do të thotë shumë për mua”.

Të kujtojmë: Ilira Gashi jeton prej vitesh në Berlin, Gjermani, ku ka edituar disa albume shumë të suksesshme. Për shkak të cilësisë  dhe fuqisë së rrallë të zërit të saj, që kap 4 oktava ajo është krahasuar me yllin e madh botëror, Mariah Carey.