Portrete të firmave

Vëllezërit Fetahaj: Deri në 16 orë punë në ditë për të arritur ëndrrën

Bashkimi dhe Fadili e kanë filluar gjithçka nga zeroja ndërsa sot kanë 10 punëtorë. Biznesi familjar, pos servisimit të veturave, numëron mbi 100 vetura të markave të ndryshme, ndër to edhe lukzoze, që janë në shitje

 Teksa shkojmë në drejtim të Murtenstrasse në Courtepin, në Kantonin e Fribourgut, shohim shumë qendra për shitblerje dhe servisim të veturave. E njëra ndër to, pos për objektin më të madh dhe për veturat e shumta e luksoze, binte një sy edhe për një gjë tjetër. Ishte pikërisht emri i saj, pra quhej Auto Center Fetahaj. Konkludimi ishte i lehtë, pronari duhet të jetë patjetër shqiptar.

Pasi që kishim një avari të vogël në veturë, vendosëm të hynim dhe t`i hedhim një sy. Tek hyrja na pret punëtorja që merret me klientët, e cila na orienton tek mekanikët. Aty takohemi edhe me Fadil Fetahajn, apo siç e thërrasin miqtë, Fritz-in. Me të kuptuar që jemi shqiptarë, biseda zhvillohet në gjuhën shqipe, me kafenë e shërbyer. Pas interesimit tonë për të mësuar më shumë rreth biznesit, takohemi edhe me pronarin, Bashkim Fetahajn.

“E kemi filluar gjithçka nga zeroja. Sot është shumë e lehtë të flitet, por kur kthehem mbrapa në vitin 1999 e deri më sot, shihet se sa punë e mund është dashur për të arritur këtu ku jemi“, fillon rrëfimin e tij Bashkimi, i cili pasionin e tij rreth veturave e kishte shfaqur qysh në fëmijëri.

Albinfo.ch

Kur moshatarët e tij luanin, ai punonte në servisime veturash

Përderisa moshatarët e tjerë u gëzohëshin pushimeve shkollore, apo edhe ndonjë pasditeje të lirë, Bashkimi, si 13 vjeçar, shfrytëzonte këtë kohë duke punuar në disa qendra për servise veturash, e për të ushqyer pasionin e tij.

Pas shumë peripecive, e një shkollimi të lënë në gjysëm, në mënyrë krejt spontane, Bashkimi në vitin 1998, zhvendoset nga Kantoni i Bernës në atë të Fribourgut, ku edhe fillon veprimtarinë e tij si automekanik.

„Isha krejtësisht i vetëm në punëtori, e ndër problemet më të mëdha ishte padyshim edhe emri i qendrës. Po ta kisha emërtuar me ndonjë emër si Hans apo Peter, gjithçka do të funksiononte ndryshe“ tregon me gjysmë shaka Bashkimi për fillet e tij. Sepse njerëzit më shumë bazoheshin në emrin e kompanisë, se sa në kualitetin që ofronte ajo.

Si i vetëm që ishte, e që merrej më shumë me rregullime të vogla, puna 14-16 orë në ditë, ishte bërë thuajse rutinë për të.

Albinfo.ch

8 orë punë në ditë? Është tepër pak!

Ndërsa tash, biznesi familjar i regjistruar si Shoqëri Aksionare, pos objektit modern ku bëhet servisimi e veturave, në pjesën e përparme numëron mbi 100 vetura të markave të ndryshme, e shumë nga to edhe luksoze, të cilat janë në shitje.

Edhe pse tashmë numërojnë 10 punëtorë, për Bashkimin dhe Fadilin, ende 8 orë punë në ditë nuk mjaftojnë, sepse sipas tyre nëse do të ecësh përpara, 8 orëshi normal i punës është tepër pak.

Në fillim, diku 70 % e klientelës ishte me prejardhje ballkanike. Por për shkak të joseriozitetit të një pjese të tyre, gjatë vitit 2014, Auto Center Fetahaj fillon një qasje ndryshe ndaj klientëve. Kështu, me të renë, ata humbin shumë nga klientët por ata që kishin mbetur ishin më seriozë dhe kjo e bënte biznesin më funksional.

Albinfo.ch
Albinfo.ch

Policët mendojnë se ka ndodhur vjedhje, i gjejnë Fetahajt duke punuar

Ndër klientët e rregullt të Auto Center Fetahaj, janë edhe shumë nga përfaqësitë diplomatike të huaja në Zvicër, pos Kosovës e Shqipërise, e Gjermanisë, deri vonë ishte edhe ambasada e Serbisë, që dëshmon profesionalizmin që ushtrohet në këtë qendër.

Por duke parë zhvillimet e tregut, Bashkimi pranon se tashmë është më shumë i fokusuar në shitblerjen e veturave. Vetëm në vitin  2017 i kanë shitur 599 vetura.

Aty rastësisht takojmë edhe Hugo Mugglin, një ish polic zviceran, klient shumëvjeçar e tashmë edhe mik i pronarëve. Ai tregon një ngjarje interesante rreth fillimit të miqësisë së tij me Bashkimin.

Teksa kalonte një natë afër punëtorisë së Bashkimit, sheh në orët e vona të natës ende dritën ndezur. Duke menduar se mund te kishte ndonjë vjedhje, ai thërret për ndihmë edhe një njësit tjeter. Por kur hynë brenda, aty shohin Bashkimin ende duke punuar.

Albinfo.ch

Një plan për të investuar në Kosovë

Pos që ishte impresionuar me punën e tij të cilën e bënte ende në stilin e vjetër zviceran, ai kishte krijuar edhe emër të mirë, për çfarë edhe kolegët konkurrentë kishin respekt për të.

Ndërsa mekaniku që kujdesej për veturën tonë, francezi Thierry Tomasino, në fillim, kishte punuar 2 vite për Bashkimin, por pastaj, për shkaqe familjare kthehet prapë në Francë. Pas pak, ai merr një ftesë nga Bashkimi që të punojnë prapë bashkë, dhe nuk e refuzon. Ndërsa tash ka mbi 10 vite që punon aty, ku ndjehet si në shtëpinë e tij.

Me prejardhje nga Rahoveci e Prizreni, Bashkimi i ruan shumë mirë lidhjet me vendlindjen, duke udhëtuar drejt Kosovës 2-3 herë në muaj. Pos miqve e familjarëve, arsye tjetër është edhe një investim i mundshëm që ka në plan ta bëjë në vendlindje, mirepo, sipas tij, për detaje ka ende kohë .

Bisedën tonë me Bashkimin, na e ndërpret i vëllai, Fadili, apo Fritzi, i cili na njofton se problemi i veturës sonë është sanuar dhe mund të vazhdojmë rrugën.

Albinfo.ch
Albinfo.ch
Albinfo.ch
Albinfo.ch