Lajme

Zvicër: Afër 1.000 infeksione me variantet e reja të virusit

Deri më tani, 474 raste janë identifikuar si të variantit britanik dhe 16 të variantit të Afrikës së Jugut. 484 rasteve tjera nuk u dihet burimi

Deri më tani, në Zvicër janë zbuluar pothuajse 1.000 infeksione me format e mutuara dhe më ngjitëse të koronavirusit. Shumica  e tyre ende nuk mund t’i atribuohet ndonjërit prej mutacioneve të njohura nga Britania e Madhe dhe Afrika e Jugut.

Deri më tani, 474 raste janë identifikuar si të variantit britanik dhe 16 të variantit të Afrikës së Jugut, njofton Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) për agjencinë Keystone-SDA.

Por, numri më i madh, gjegjësisht 484 raste nuk mund të caktohen në asnjërin nga dy variantet, përcjell albinfo.ch. Gjithsej numëroheshin 974 infeksione të zbuluara me viruse të mutuara të hënën.

Një tjetër mutacion i koronavirusit është zbuluar kohët e fundit në Brazil. Sipas BAG, ky variant nuk është shfaqur ende në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Ndalimi për hyrje në Zvicër zbatohet tashmë për Brazilin. Ky vend i Amerikës së Jugut është vendosur të mërkurën në listën e karantinës .

Mutacioni është një nga tre variantet e klasifikuar nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) si shkak për brengosje, thonë në BAG, transmeton albinfo.ch.

Varianti brazilian tregon gjithashtu ndryshime që mund të çojnë në rritje të transferueshmërisë dhe në përkeqësim të situatës epidemiologjike, sipas BAG.

Ekspertët thonë se ai ka ngjashmëri me mutacionin që është zbuluar në Afrikën e Jugut: Të dy thuhet se përhapen shumë shpejt në zona që tashmë ishin prekur rëndë nga varianti mbizotërues më parë.