Kosova
Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, njohjet mbeten sfida kryesore e Kosovës
Arritjet dhe aspiratat e shtetit të Kosovës, janë diskutuar si temë nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ku ka mbizotëruar pikërisht çështja e njohjes dhe subjektivitetit ndërkombëtar
Edhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, njohjet e reja dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara mbeten sfidat kryesore të Kosovës.
Kosova vlerësohet se ka krijuar një subjekt ndërkombëtar me 115 njohje, por akoma të papërmbyllur, derisa nuk siguron edhe normalizimin e raporteve me Serbinë.
Ky normalizim, sipas Evropës së Lirë, besohet se do t’ia hapte Kosovës dyert drejt anëtarësimit në OKB.
Arritjet dhe aspiratat e shtetit të Kosovës, janë diskutuar si temë nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ku ka mbizotëruar pikërisht çështja e njohjes dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Asistent i Presidentit në Këshillin për Tolerancë dhe Paqe, Nabil Ayad, tha se njohjet e reja, mbesin sfidat kryesore për Kosovën.
“Kosova është ballafaquar dhe vazhdon të përballet me shumë pengesa rreth perspektivës së saj, sigurisë dhe ekzistencës”, ka thënë Ayad. “Aktualisht ka 115 shtete që e kanë njohur Kosovën dhe e di që Qeveria po punon shumë që të shtohet numri i njohjeve”, tha Ayad, duke i vlerësuar njohjet e reja si shumë të rëndësishme për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Ndërkohë, Rejhan Vuniqi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme tha se shteti i Kosovës kishte një rrugë jo të lehtë deri te shtetësia e saj. Sipas saj, Kosova po angazhohet në planin e jashtëm dhe të brendshëm që të ndërtojë shoqëri demokratike dhe të barabartë.
“Deri më sot, Kosovën e kanë njohur 115 shtete. Prej tyre 112 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, 23 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, 25 nga 29 shtete anëtare të NATO-s apo 37 nga 57 vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik”, ka thënë Vuniqi.
Megjithatë, sipas saj, Kosova po përballet me pengesa të ndryshme për njohje, që kryesisht vijnë prej shteteve të fuqishme si Kina dhe Rusia.
Pas disa viteve të brishtësisë nga aspekti i sigurisë, tani u vlerësua se Kosova ka një qëndrueshmëri të brendshme, ku raportet ndëretnike nuk shihen më si problemi kryesor, siç ishin dikur. Ndërkaq sfidë më vete u tha se mbetet formimi i Ushtrisë së Kosovës, me çka do të rrumbullakoheshin strukturat e saj të sigurisë dhe mbrojtjes.
Burim Ramadani, zëvendësministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës, tha se shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, mbetet një prej synimeve kryesore të politikës aktuale të vendit.
“Ne duam që të anëtarësohemi në NATO dhe që NATO të qëndrojë në Kosovë. Ne jemi në proces intensiv për të transformuar FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës. Ne synojmë të arrijmë fazën e dialogut për anëtarësim në NATO dhe të përfshihemi në programin për paqe”, theksoi Ramadani.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Video
Kurti mban tubim në Cyrih Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur tubim në Cyrih të Zvicrës... -
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Baume-Schneider, kritike për pagat e larta të sigurimeve shëndetësore Ajo i përgjigjet një raporti se pagat më të larta në kompanitë e mëdha të sigurimeve... -
Zvicra, e dhjeta në mesin e vendeve më të lumtura në botë -
Zvicra synon kthime më të shpejta azilkërkuesve të refuzuar -
Fshati Blatten, një vit pas rrëshqitjes së dheut u rihap pjesërisht -
Ku saktësisht mund të bësh blerje në Zvicër të dielën?













