Shëndetësi

Doktori shqiptar hap një Spitex të specializuar për emigrantët në Zvicrën Lindore

Rëndësia e përkujdesjes së të sëmurëve dhe të moshuarve në shtëpi është ende e madhe në Zvicër.

Sipas Zyrës Statistikore Federale, numri i pacientëve të organizatave Spitex u rrit me 15 për qind vitin e kaluar, në më shumë se 300 mijë persona.

Gjenerata e parë, ose prindërit tanë kanë ardhur në Zvicër qysh në vitet e 70-ta.

Shumica prej tyre tani po e kalojnë moshën e pleqërisë me fëmijët dhe nipërit e tyre në Zvicër, e shumë pak prej tyre kanë vendosur të kthehen në Kosovë, ndërsa janë raste të rralla kur ata u drejtohen shtëpive të pleqve.

Këta sot e kanë arritur një moshë të pleqërisë, janë pensionistë dhe shumica me shëndet jo aq të mirë nga shkaku i punëve të rënda fizike dhe kanë nevojë për kujdes të veçantë nga persona të kualifikuar shëndetësorë, të cilët komunikojnë në gjuhën e tyre dhe e njohin kulturën dhe traditën shqiptare.

Për këtë ka menduar doktori shqiptar me origjinë nga Grejkoci i Kosovës, Bujar Beqiraj, i cili ka hapur një Spitex që do t’u dedikohet të huajve, po edhe zviceranëve të moshuar në Zvicrën Lindore.

Doktori shqiptar (Assistenzarzt ne Kantonsspital St.Gallen) Beqiraj tha për albinfo.ch se ishte një nevojë, ngase deri tani i ka munguar kësaj pjese të Zvicrës një Spitex i këtillë, i specializuar për emigrantët.

Kjo mbase është mënyra më e mirë për të qenë afër pacientëve të moshuar mjeku shqiptar, i cili në të ardhmen planifikon ta përcjellë edhe në ordinancën e tij që do të bëhet shumë shpejt realitet në St.Gallen.

«Përveç që do të kujdesem për shëndetin e tyre në ordinancën time, këtë do ta bëj edhe në shtëpitë e tyre nëpërmjet ekipit profesional të Spitexit», thotë Beqiraj.

24 orë shërbim, për secilin dhe gjithkund në Zvicrën Lindore, është motoja e Spitexit, në të cilin punojnë 5 punëtorë shëndetësorë, në krye me mantelbardhin Beqiraj.

Tashmë është faktike gjendja në terren se shumica e shqiptarëve të gjeneratës së parë përfundimisht kanë vendosur të mbesin në Zvicër.

“Prindërit e mi shpesh kanë menduar të kthehen në Kosovë, por tani atje po shihet se nuk ka kushte të mira të jetesës. Përkundër dëshirës, unë nuk arrij të kujdesem për prindërit e mi”, e arsyeton hapjen e një Spitexi në Zvicrën Lindore doktori shqiptar.

Por, ai thotë se ende vlerësohet si turp t’i dërgojmë prindërit tanë në shtëpi pleqsh, për shkak mentalitetit dhe kulturës shqiptare.

«Spitexi privat, me seli në Staad në Kanton të St.Gallen, është i specializuar për emigrantë dhe kush ka nevojë, pa dallim etnie, mund të përfitojë nga shërbimet tona. Ne synojmë të arrijmë të kemi kualitet dhe në asnjë rast kuantitet», thotë Beqiraj, duke theksuar se emigrantët kanë më shumë kërkesa për shkak të punëve të rënda që kanë bërë kryesisht në Zvicër.

«Në kohën e “sezonjerëve” ata kanë bërë të pamundurën, duke bërë punë të rënda për të siguruar vazhdimin e qëndrimit në Zvicër, e tërë ajo tani ndjehet te emigrantët në pleqëri», thekson doktori, i ati i të cilit kishte ndjekur rrugën e njëjtë të mërgimit në Zvicër.
«Po, edhe të huajt pak merren me aktivitete fizike, ndërsa edhe më pak zgjedhin ushqimin e shëndetshëm, madje disa ende vuajnë nga përjetimet e luftës në Kosovë».

Në organizatën Spitex, e cila ka të punësuar infermierë/e me njohuri të mira të gjuhëve të huaja, synojmë që ata t’i përshtaten edhe kulturës dhe mentalitetit të pacientëve të huaj.

«Çfarëdo terapie që i ofrohet pacientit nuk është më e efektshme sesa lidhja që krijon me ta duke komunikuar në gjuhën e tyre», tregon Beqiraj, duke rrëfyer nga përvoja e tij të një pacienti shqiptar që kishte pasur problem me terapinë për të mbajtur në kontroll sheqerin, pasi nuk kishte kuptuar rekomandimet e mjekëve.

Gjenerata e parë nuk ka informacione të mjaftueshme rreth shërbimeve eksterne shëndetësore.

Të sëmurit dhe të moshuarit duhet të informohen se çfarë shërbimesh ofrohen nga një Spitex në Zvicër.

Spitexi nuk u dedikohet vetëm pacientëve të moshuar, por edhe të rinjve, të cilët duhet të trajtohen pas spitalit në shtëpi.
Të gjitha shërbimet që ofrohen në Spitexin e mjekut Bujar Beqiraj në tërë Zvicrën Lindore mbulohen nga sigurimet shëndetësore ose komuna.

Për informacione më të hollësishme mund të kontaktoni drejtpërdrejt Spitexin.

Albulena Keka – Administratë SPITEX

Bujar Beqiraj i lindur në fshatin Grejkoc, Komuna e Therandës, si një i ri i ardhur në moshën 15-vjeçare në Zvicër, kishte arritur të tejkalonte të gjitha pengesat, falë vendosmërisë dhe dëshirës së madhe për t’i shërbyer shoqërisë si mjek.

Ishte viti 2007, vit në të cilin Beqiraj kishte filluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Fribourg të Zvicrës.

Vështirësitë për të nuk mbaronin, modulet në Universitetin e Frioburgut  zhvilloheshin në dy gjuhë, në atë gjermane dhe frënge.

Tre vjetët e studimeve në Fribourg ishin vite të suksesit, jo vetëm sa i përket studimeve, por edhe jetës sociale.

Ai kishte arritur që për këtë kohë të mësonte jo vetëm për profesionin, për të cilin ishte shumë i përkushtuar, por edhe sa i përket kulturës dhe traditës zvicerane, duke falënderuar familjen Fidanza, ku Bujari i kaloj tre vjet në banesën e tyre.

Pas përfundimit të tre vjetëve, ai vendosi për të rrugëtuar tutje me misionin e tij, duke ndjekur edhe për tre vjet të tjera studimet në fushën e mjekësisë, pranë Universitetit të Bazelit.

Pas mbarimit të studimeve, ai kthehet prapë në St.Gallen për të ushtruar profesionin e mjekut, ku aktualisht punon në Spitalin kantonal të St.Gallenit.

Rrugëtimi i tij është një tregim suksesi që do të kurorëzohet së shpejti edhe me një ordinancë private që do të flasë shqip.

/Publireportazh/