E-Diaspora

Doktori shqiptar që kontrollon falas

Mario Ademaj ka qëndruar në Shkodër, ku ka kryer vizita falas, kurse gjithashtu edhe ilaçet janë shpërndarë pa para

 

Një shqiptar mjek, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen çdo vit në Shqipëri, kontrollon falas dhe shpërndan ilaçe falas.

Është ky Mario Ademaj, i cili ka vazhduar traditën edhe këtë vit. Ai është martuar këtë vit dhe menjëherë ka nisur misionin e tij, raporton ‘Zëri i Amerikës’’.

Ai do t’i kontrollojë falas, si dhe gjithashtu edhe ilaçet do të jenë pa para.  Dy vite më parë, së bashku me disa mjekë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria u ofroi shërbim banorëve të Pogradecit, përcjell albinfo.ch.

“Aty brenda një dite erdhën 2000 pacientë, të cilët nuk kishin parë doktor me sy, gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për arsye financiare”. Këtë herë zgjodhi Shkodrën  dhe arriti të frymëzojë edhe vullnetarë të rinj.

Mario është larguar në moshë të hershme nga Shqipëria. Nuk e kishte ëndërruar kurrë që një ditë do të studionte mjekësi në Amerikë. Zgjedhjen e bëri i nisur nga sëmundja e rëndë e të atit,  nga nevoja që ai kishte, jo vetëm për ndihmë mjekësore, por mbi të gjitha njerëzore. Babanë, fatkeqësisht nuk arriti ta mbante në jetë, por u zotua që do të bënte gjithçka për të tjerët.

Për të, mjekësia është mbi të gjitha humanizëm dhe që në vitet e shkollës frymëzoi idenë e një klinike ambulatore falas në shërbim të bashkatdhetarëve.

Sot, kjo ide është konkretizuar në një organizatë që quhet “Skuadra mjekësore ndërkombëtare për Shqipërinë”, e cila ndihmohet nga familje të ndryshme shqiptare.

Plani i Marios është që një ditë, klinika e tij falas, të shtrihet në të gjitha trevat, ku ka shqiptarë.
https://www.zeriamerikes.com/a/mario-ademi-doktor-shqiptaro-amerikan/3933998.html