Kosova

Dokufest: Cilat janë kënaqësitë për diasporën shqiptare

Shfaqjet e filmave në qytet, dalja jashtë qytetit apo një kombinim? Është vështirë të konstatohet tani, pasi që ky është viti i parë që „Dokufest“ ka ofruar paketa speciale njëditore për diasporën. Por më rëndësi është që hapi i parë është bërë dhe ne kemi percjell njerën nga to, për t’i ofruar lexuesve tanë përshtypjet e një eskurzioni që ju mund ta kaloni gjatë pushimeve sa qëndroni në Kosovë.

Prizreni njihet si qyteti më atraktiv i Kosovës. Ngjarja më e madhe kulturore në Prizren, festivali i filmit „Dokufest“, mbledh për çdo vit me qindra vizitorë, autorë e regjisorë filmash nga e mbarë bota për disa ditë më radhë. Në këtë vazhdë të aktiviteteve kulturore, organizatorët kanë futur sivjet për herë të parë tri paketa exploruese për diasporën.

Mes Ecjes historike në Prizren; Degustimin e verërave në Rahovec apo Nashec Tour me biçikleta, ne kishim vendosur të merrnim pakon e degustimit të verërave.

Stenda DokuDiaspora në sheshin e Deshmorëve

Kjo pako kishte të paraparë transportin, degustimin e pesë llojeve të verërave, një darkë tradicionale të përcjellë me një workshop mbi mënyrën e të ushqyerit dhe pjesëmarrjen e kryetarit të komunës Mytaher Haskuka, një shfaqje filmi dhe Dokunight koncert për vetëm 12 euro (të gjitha), nëse ju do ishit në posedim të një lejeqëndrimi jashtë Kosovës. Kurse për gazetarët mjaftonte akreditimi.

Për ata që nuk e dinë, „Stone Castle“ ofron për një çmim prej 12 eurove për person degustim të verërave dhe një shetitje informuese mbi prodhimin dhe historinë e këtij bodrumi, por pa gjërat tjera përcjellëse që ofronte „Dokufest“. Rrugëtimi me diasporën po fillonte tek „Sheshi i dëshmorëve“, pranë stendës së dokufestit (Dokudiaspora) për shitjen e biletave. Erdis Driza ishte ciceroni ynë shoqërues, i cili me një anglishte të rrjedhshme po na orientonte drejt një minibusi që po na priste përballë hotelit Theranda.

 

 

Veraria Stone Castle

Rruga prej 25 kilometrave deri në bodrumin e verërave të „Stone Castle“ në Rahovec, do të duhej të kalonte shpejt, por duke parë komunikacionin e dendur e të nxehtin përvëlues me temperatura deri në 37 grad celsius me një minibus që nuk i punonte klimatizimi, ne nuk po relaksoheshim ashtu siç bëjnë njerëzit kur janë në pushim. Megjithatë ne po linim Landovicën mbrapa dhe ata që ishin ulur pranë njëri tjetrit po bisedonin e po njiheshin me intensivisht. Kishim kaluar përmes fushave të punuara të Krushës së Vogël e të Madhe pa thënë asnjë fjalë për to, e pa vërejtur gjurmët e luftës së fundit dhe varret masakrave të tmershme që kanë përjetuar familjet krushjane.

Në rrugëtimin tonë që ishte organizuar për diasporën ishin paraqitur vetëm 3, përkatësisht 4 mërgimtarë dhe të tjerët ishin regjisorë filmash apo turistë që po merrnin pjesë në Dokufest.

Teknologu tregon historinë e verarisë

Me një amerikan, një franceze, një spanjolle, një belg dhe katër mërgimtarë e dy vendas po merrnim informacionet e para nga një teknolog i cili po na shpjegonte historinë e bodrumit „Stone Castle“, sasinë e prodhimit, fermentimit dhe varietetet e rrushit që e sjellin edhe fermerë të zonës.

„Stone Castle” është kompani e njohur për prodhimin e verës dhe rakisë së llojeve të ndryshme, jo vetëm për tregun vendor, por edhe atë rajonal e ndërkombëtar. Prodhuesi më i madh i verërave në Kosovë dhe rajon është privatizuar në vitin 2006 nga një shqiptaro amerikan, i cili ka investuar dhjetëra miliona euro në modernizimin e infrastrukturës së prodhimit të verërave që prodhohen në këtë bodrum prej vitit 1953. Verërat që prodhon “Stone Castle”  janë të llojeve Kabernet, Merlot, Shardone, Pinotnoar, Vranac e të tjera. Por prapa nuk mbetet as rakia. Konjaku i ruajtur në fuçi prej druri 10 deri në 25 vjet, është njëra prej pijeve me të cilat “Stone Castle” krenohet.

Organizatori i kësaj pakoje, Erdis Driza, na tregon që kanë pyetur një numër të madh kalimtarësh për këtë eskurzion, por interesimi nuk ka qenë i madh.

Erdis Driza

„Ky eshte viti i parë që bëjmë këtë organizim me diasporën dhe ne kemi pyetur mbi 300 persona në shesh.  Vitin tjetër duhet ta mendojmë më mirë promovimin e këtij eventi. Duhet të depërtojmë më mirë tek gjenerata e reja sepse të moshuarit nuk kanë shprehur shumë interesim“, konstaton Erdisi i cili ka 10 vite që është pjesë e organizimit të festivalit të filmit „Dokufestit“.

Megjithatë një çift i ri nga diaspora kishte përzgjedhur një mënyrë krejt tjetër për të vizituar verarinë e Kosovës. Dhëndri kishte sjellë nusën e tij kaçanikase me vello në bodrumin e verarisë për të bërë fotografi. „E kam sjellë gruan time Arjetën këtu që t’ia tregoj vendin tim dhe me çka identifikohemi ne“, na thotë Egzoni i një fshati afër Rahovecit.

Egzoni dhe Arjeta

Për regjisoren spanjolle të filmit „Mars“, Vanessa Del Campo, ky udhëtim ishte një mundësi e mirë për te dhe të dashurin e saj belg, Gilles, për të njohur njerëz jashtë sallave të kinemasë. Për të parë nga afër prodhimin e verërave kosovare dhe njohur diasporën shqiptare, të cilët interesoheshin me pyetje të shumta rreth diasporës kosovare dhe prodhimit të verërave në Kosovë.

Gilles dhe Vanessa

Ata po shoqëroheshin me të gjithë e po shkëmbenin informacione edhe me dy kusherirat e reja simpatike që kishin ardhur enkas nga Fushë Kosova për të marrë ketë paketë të degustimit të verërave.

„Verën e dua shumë dhe kam ardhur vetëm për të“, na thotë shkurt me një shkelje syri Bardha dhe kthehet nga Blerta, e cila vazhdon „më falni që po ndërhyj, por Bardha është një vajzë që e do dhe e promovon shumë vendin tonë. Bardha ka sjellë shumë shoqëri nga Norvegjia në Kosovë dhe Shqipëri. Unë jetoj në Fushë Kosovë dhe kësaj here jam këtu sepse më pëlqen të njoftohem me njerëz të tjerë. Kam pritur që do të ketë më shumë. Tre mërgimtarë është pak“, shprehet juristja Blerta Mexhuani e cila po e shoqëronte Bardhën në Prizren.

Bardha & Blerta

„Vendi ka shumë potencial, por duhet të marrin më tepër informacione si duhet pritur turistët, të përgatiten më mirë për temën që marrin dhe jo siç na fliste për verën ajo gruaja tek bodrumi. Nuk dukej që ishte entuziaste dhe ajo vërehej.  Nëse doni ta promovoni turizmin nevojitet pak më shumë entuziazëm“, shpreh në një bashkëbisedim me ne, vlerësimin për pritjen që na u bë në „Stone Castle“, juristja nga Norvegjia, Bardha Konjuhi.

Ndryshe thotë ajo, „unë gjithmonë ua rekomandoj shoqërisë dhe kolegëve të mi, krejtve ua rekomandoj Kosovën dhe Shqipërinë. Ju them që atje nuk gjeni Parisin, por gjeni një vend më shumë histori e kulturë. Mund të hani mirë e lirë dhe keni një det të mrekullueshëm“.

Grupi gjatë degustimi të verërave
Darka tradicionale me kryetarin e komunes M. Haskuka