Koronavirusi: çast pas çasti

Familja shqiptare, e bllokuar në mes të Austrisë dhe Zvicrës: flenë në makinë

Pas 12 orë rruge të lodhshme, në kufi i pret tronditja e madhe. “Policët na thanë se vetëm unë kam të drejtë të hyj në Zvicër”, tregon Kumrija. Kjo, për faktin se ishte e vetmja që kishte vërtetim të qëndrimit në Zvicër...

Familja shqiptare nga Maqedonia*, me shtatë anëtarë, me shtetësi austriake ka marrë një banesë me qira në Kantonin Aargau që nga muaji shkurt i këtij viti, shkruan blick.ch Shpërngulja në Zvicër nga Austria duhej të ndodhte gjatë kësaj jave por, Dogana  Zvicerane nuk ka lejuar hyrjen e familjes në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Kështu, 7 veta të zhgënjyer janë detyruar të flenë në veturë.

“Ne jemi në fund të fuqive tona”, thotë Kumrije K*. Dhe shpreson tek ndihma nga Zvicra. “Ata nuk na lënë të hyjmë në Zvicër”. Kumrija 32 vjeçe me bashkëshortin, Burimin* 37 vjeç, me katër fëmijët nga 3 deri 12 vjeçarë  dhe vjehrrën, janë të ngujuar në kufi.

Familja në të vërtetë i kishte punët mirë në Vjenë. Por “në janar gjeta një punë në një pompë benzine dhe një banesë në Kantonin Aargau. Isha shumë e lumtur”, rrëfen nëna e katër fëmijëve, transmeton albinfo.ch. Ajo vetë kishte shkuar të banonte që nga shkurti ndërkohë që bashkëshorti dhe pjesa tjetër e familjes kishte mbetur përkohësisht në Austri.

Në të njëjtën kohë, banesën në Vjenë ia kanë dorëzuar që nga 1 prilli një çifti gjerman kështu që familja, që nga ajo ditë ka ngelur në mes të rrugëve.

Pasi që të martën ia dorëzon çelësat qiraxhinjve të rinj, familja K. niset në drejtim të Zvicrës. Pas 12 orë rruge të lodhshme, në kufi i pret tronditja e madhe. “Policët na thanë se vetëm unë kam të drejtë të hy në Zvicër”, tregon Kumrija. Kjo, për faktin se ishte e vetmja që kishte vërtetim të qëndrimit në Zvicër.

E dëshpëruar, ajo u tregon policëve të gjitha pasaportat, dokumentet e banesës etj., por kot. “Ata vetëm tundnin kokën dhe na thoshin se duhet të kthehemi”.

Ndërkohë në Austri të gjitha hotelet ishin mbyllur dhe familja K. nuk kishte asnjë të afërm në këtë vend, përcjell albinfo.ch. “Pastaj, kush e merr në kohë të koronavirusit ta strehojë një familje kaq të madhe?” Askush. Për këtë arsye atyre u mbeti vetëm automobili për të kaluar natën. Ndërsa jashtë ishte shumë ftohtë, minus 6 gradë celsius, kujton Kumrija.

Të nesërmen Kumrija i telefonon Zyrës për Migracion të Zvicrës duke bërë lutje që ta lejojnë familjen e saj të hyjë në Zvicër. Por ata më thanë se për shkak të krizës së koronavirusit nuk japin më leje të hyrjes”, thotë ajo, transmeton albinfo.ch. Për këtë arsye familja vazhdon të flejë në makinën e vendosur në një parking pranë një pompe benzine. Aty kanë mundësi të blejnë edhe gjëra ushqimore dhe është në dispozicion edhe një tualet publik.

Të hënën që vjen (pasnesër) Kumrija duhet të fillojë serish punën në Zvicër. Por, ku do të shkojë familja pastaj? “Ne kemi vetëm këtë veturë në dispozicion. Ne na duhet tani urgjentisht ndihma e Zvicrës”, thotë ajo. Natën e të premtes familja K e ka kaluar te miqtë në Austri. Por kjo nuk është zgjidhje afatgjatë. Në një banesë të vogël 13 persona…

Gazeta ka pyetur autoritetet përgjegjëse të Zvicrës lidhur me rastin. “Parimisht, vetëm personat nga BE që kanë leje pune ose dëshmi për banim në Zvicër kanë të drejtë të hyjnë në vend, përcjell albinfo.ch. Ky është një rregull i ri, i vendosur për shkak të krizës me koronavirusin. Vlenë për personin që ka dokumentet në fjalë dhe përjashton anëtarët tjerë të familjes”, kanë thënë nga SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion).

  • albinfo.ch ndërkohë merr vesh se familja e përmendur është nga Maqedonia dhe jo nga Kosova.
  • Emrat janë të koduar