Lajme

Familja shqiptare ka gjetur strehim dhe është shëndosh e mirë

Kryefamiljari Burim Kadriu ka theksuar për albinfo.ch se ata janë shëndosh e mirë dhe përveç bashkëshortes së tij e cila ka shkuar në Zvicër, ai dhe fëmijët janë kthyer në Vjenë

Lajmi se si një familje shqiptare nga Maqedonia, me shtetësi austriake, e përbërë prej shtatë anëtarësh ka mbetur e ngujuar në kufirin Austri – Zvicër, bëri jehonë te bashkatdhetarët tanë në të dy shtetet.

Familja shqiptare nga Kërçova kishte marrë një banesë me qira në Kantonin Aargau që nga muaji shkurt i këtij viti, shkruan blick.ch Shpërngulja në Zvicër nga Austria duhej të ndodhte gjatë kësaj jave por, Dogana  Zvicerane nuk ka lejuar hyrjen e familjes në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Kështu, 7 veta të zhgënjyer janë detyruar të flenë në veturë.

Albinfo.ch ka arritur të sigurojë kontakt edhe me familjen në fjalë. Kryefamiljari Burim Kadriu ka theksuar se ata janë shëndosh e mirë dhe përveç bashkëshortes së tij e cila ka shkuar në Zvicër, ai dhe fëmijët janë kthyer në Vjenë.

“Ju falënderoj për angazhimin tuaj dhe gjithë shqiptarët që pas shkrimit tuaj u interesuan të na gjejnë strehim. Ne jemi shëndosh e mirë. Ashtu siç jeni informuar, ne deshëm të shkonim në Zvicër atje ku tashme kemi banesën tonë , punën dhe pasurinë tonë, por autoritetet zvicerane për shkak të koronavirusit nuk na lejuan, përveç bashkëshortes e cila kishte leje të punës, thotë Kadriu për albinfo.ch. Meqë në Bregenz të gjitha hotelet ishin të mbyllura, atëherë vendosem që të kthehemi në Vjenë”, tha Burimi për “albinfo.ch”. “Jemi vendosur në një banesë dhe mund të qëndrojmë deri sa të na jepet mundësia për të shkuar në Zvicër”, u shpreh shkurt ai.

Duhet theksuar se pas publikimit të lajmit nga albinfo.ch, shqiptarët nga të dy shtetet janë interesuar për t’i mundësuar strehimin e kësaj familje. Ishte vet Ambasadori i Kosovës në Austri, Lulëzim Pllana i cili shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të gjetur mënyra se si mund të strehojnë këtë familje. Po ashtu nuk mungoi edhe gatishmëria e bashkatdhetarëve tanë në Austri si: e Lulëzim Fejzullahit nga Ebensee dhe e Kristjan Gashit me banim në Lustenau, në kufirin Austri – Zvicër.