Karriera në Ballkan

Filma dhe muzikë në Festivalin e Frankofonisë

Brenda dhjetë ditëve të ardhme, qytetarët e Kosovës do të “bashkëjetojnë” me kulturën dhe gjuhën frënge, me filmat, dramën dhe muzikën franceze. Festivali i Frankofonisë nis sot

Disa pjesëza të mozaikut shumëngjyrësh të artit francez dhe atij zviceran, do të pasqyrohen gjatë dhjetë ditëve të ardhshme për publikun e Kosovës. Filma të rinj e të vjetër, në mesin e tyre edhe ata që kanë fituar çmime ndërkombëtare, do t’u plasohen kosovarëve gjatë ditëve të Festivalit të Frankofonisë.

Ky festival, i cili është bërë tashmë tradicional, fillon sot (e mërkurë) në Prishtinë, për të vazhduar deri në fund të muajit edhe nëpër qytetet tjera. Festivali i Frankofonisë organizohet nga Ambasada e Francës, ajo e Zvicrës e Luksemburgut dhe Aleanca Franceze në Kosovë.

“Un monstre à Paris” është një film i gjiruar në vitin 2011 me aktorët Vanessa Paradit dhe Mathieu Chedid, i cili do të publikohet gjatë ditëve të festivalit. Ngjarja i takon vitin 1910, ku në Paris një monstër dashurohet në një këngëtare “magjike”. Ngjarja është e mbushur plot me zhvillime e skena që “ta ndalin frymën”.

Në festival edhe dy grupe muzikore

“Këtë vit Festivali do të fokusohet vetëm në film dhe muzikë. Në Festival do të shfaqen filma francez si dhe do të prezantojnë dy grupe muzikore nga Kosova: Rok Grupi Imazhi i Mitrovicës dhe Rep Grupi NR…”. tha për albinfo.ch, Isabelle Combranous, përgjegjëse për aktivitetet kulturore në ambasadën franceze.

Ajo edhe në një konferencë për media që ka mbajtur në Prishtina tha se këtë vit festivali është fokusuar kryesisht në dy fusha, ku nuk kërkohet njohja e gjuhës frënge për të marrë pjesë.

“Festivali do të fillojë me muzikë, ndërsa ka bashkëpunime mes muzicientëve kosovarë e atyre francezë, e nga kinemaja kemi sjell në restrospektivë filma të vjetër e të rinj francezë, me katër filma francezë e një zviceran”, tha Combranous.

Ne raportuar të festivalit, siç tha Combranous, janë filmat: “De la Cuisine au Parlement”, “Petit tailleur”,  “Le Ballon Rouge”  (film i animuar) dhe dramë e realizuar në vitin 2008 “Le balades actrices”.

Combranous përmendi disa nga filmat e vjetër francez që kanë lënë gjurmë në kinematografinë botërore.

“Kemi filmin “Le Ballon Rouge” i cili është prodhim i vitit 1956 ndërsa shpërfaq Parisin e viteve ’50. Ky film ka fituar edhe Palmën e Artë. Ka filma edhe për të drejtën e votës së gruas në Zvicër, kështu që ka zgjidhje për të gjithë publikun”, ka treguar përgjigja për kulturë në Ambasadën e Francës.

Combranous tregon se përzgjedhja e filmave është bërë për të plotësuar shijet e çdo grupmoshe të publikut.

Kurse të veçanta edhe për gjuhën frënge

Në pyetjen e albinfo.ch, se cila është përshtypja për kulturën, artin dhe gjuhën në Kosovë,  Combranous tha se për këtë pyetje e ka vështirë të përgjigjet, sepse ka vetëm një muaj që është në Kosovë, por si fillim, ajo kishte përshtypje të mira.

“Unë e kam marrë postin e këshilltarit kulturor në Kosovë vetëm një muaj më parë dhe jam ende në një fazë të hulumtimit, mirëpo kultura duket të ketë një vend të rëndësishëm në jetën e Kosovës”, tha ajo, duke premtuar gjithashtu mbështetje për aktivitete kulturore.

Në konferencën e djeshme ndërkaq foli edhe Marlene Poliquen, drejtoreshë e Aleancës Franceze në Kosovë. Ajo tha se gjatë javës së festivalit mbahet paralel edhe java e gjuhës frënge, e që kryesisht ju kushtohet nxënësve që mësojnë këtë gjuhë.

“Në kuadër të aktiviteteve kemi edhe disa konkurse, si ai për këngët frënge, gjuhën frënge… Java organizohet jo për të parën herë dhe këtë vit edhe në bashkëpunim me Shoqatën e Profesorëve të Frëngjishtes në Kosovë”, tha Poliquen.

Ndryshe, për vite të tëra, gjuha frënge është mësuar në shkolla publike si gjuhë zyrtare ndërkombëtare. Madje ka qenë gjuhë obligative deri në vitet ’90, kur ajo u zëvendësua në shumë shkolla me gjuhën anglezë.

Nëpër disa shkolla, të ciklit gjuhësor, prapë e kanë obligim mësimin e frëngjishten.

Brenda Fakultetit Filologjik ekziston drejtimi i veçantë i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, madje është ndër drejtimet e parat që është themeluar në UP. Shumica e profesorëve të albanologjisë janë edhe frankofon.