Lajme

Austria hap resortet e skive, qytetarët ndihen të gëzuar në kohë pandemie

Austria ka hapur resortet e skive, pavarësisht izolimit total. Kjo, pasi sportet rekreative si snowboard dhe skitë janë të përjashtuar nga kufizimet e lëvizjes.

Gjermania dhe Italia kishin kërkuar mbylljen e tyre në Evropë gjatë pushimeve, por shumë vende, si Austria dhe Zvicra, refuzuan. Me kufizimin e udhëtimeve në fuqi, të paktën vendasit mund të argëtohen në vende si mali Goldek, në jug të Austrisë, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Këtë fundjavë, pak njerëz qëndruan në shtëpi. Shumë resorte austriake skish arritën kapacitetet dhe rrugët u mbyllën nga policia.

Por vizitorëve iu desh t’i merrnin ushqimet me vete, pasi bujtinat ishin të mbyllura për shkak të masave. Përveç kësaj, mbajtja e maskave mbrojtëse në kabina ishte e detyrueshme.

“Ne të dy po i mbajmë veshur maskat vetëm e vetëm për t’u mbrojtur nga frymëmarrjet që mund të akumulohen në një kabinë si kjo këtu. Ndaj u jam mirënjohës mysafirëve tanë që me kaq disiplinë po veprojnë në përputhje me këtë kërkesë. Dhe besoj se nëse vazhdojmë kështu, atëherë skitë janë të padëmshme dhe të shëndetshme edhe në kohë si këto”, shprehet Marcus Kaller, menaxher resorti.

Përveç pistave të skive dhe atyre të patinazhit, Austria është gati e lënë. Vendi ka hyrë në bllokadën e tretë, më dyqanet, restorantet dhe shkollat të mbyllura.

Sipas autoriteteve, është e rëndësishme në aspektin psikologjik që qytetarët të mund të argëtohen në ajër të pastër, si për shembull, në pistën më të madhe të akullit në Evropë, liqeni Vajsenzee.