Integrimi

Bashkimi i dy subjekteve, një hap pozitiv për shqiptarët myslimanë në Zvicër

Institucioni Islam që do të përfaqësojë shqiptarët myslimanë në Zvicër, do të njihet me emrin Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ)

Fundjava që lamë mbrapa, ka shënuar një aktivitet të rrallë dhe me rëndësi të veçantë, sa i përket funksionimit të jetës fetare të shqiptarëve në Zvicër. Ashtu siç edhe kemi raportuar më herët, në pasditën e së dielës, në lokalet e Xhamisë së Regensdorfit (Cyrih), në një takim të përbashkët në mes përfaqësuesëve UBISHZ-zë dhe BISHZ-së është nënshkruar një Marrëveshje, sipas së cilës dy subjektet aktuale bashkohen në një të vetme.

Takimi i së dielës ishte i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, Kryetari i UBISHZ-së, Mehas Alija, mbajti një mbledhje të regullt vjetore me kuvendarët e UBISHZ-së me ç’rast shpalosi para të pranishmëve aktivitetet vjetore të institucionit që ai udhëheq. Para të pranishmëve në detaje u shqyrtuan të gjitha aktivitetet e realizuara nga UBISHZ gjatë vitit 2019.

Ndër aktivitetet e cilësuara si më të rëndësëshme ai veçoi pjesëmarrjen e UBISHZ-së në FIDS, Botimin e Librit «Ekstremizmi në emër të Islamit» me autor Dr.Bashkim Aliu dhe Mr.Rejhan Neziri, seminarin me imamë të rinj, zhvilluar në koordimin mes UBSHIZ-së dhe Universitetin e Friburgut, si dhe shumë aktivitete të tjera, si tribuna islame, vizita nëpër xhami, pajtime dhe aktivitete të ngjashme që janë pjesë e jetës fetare/islame në mesin e popullatës shqiptare.

Thirrje për bashkëpunim me institucionet vendëse

“Ndër prioritetet e UBISHZ-së, mbetet menaxhimi i situatës me Covid 19, në koordimin me organet kompetente të vendit» – tha Alija. Ndër aktivitetet që pritet të realizohen përgjatë vitit të arrdhëshëm, Alija veçoi angazhimin e UBISHZ-së në botimin e disa titujve shkencorë, realizmin e seminareve, menaxhimin e mjeteve për ndihmë në Shqipëri, organizimin e zgjedhjeve të reja dhe të ngjashme.

Alija gjithashtu u bëri thirrje përfaqësuesëve të xhamive, që të bashkëpunojnë ngushtë me KMSHZ-në, me kantonet dhe komunat ku xhamitë shqiptare funksionojnë. “Duhet të jeni sa më të hapur me institucionet e vendit, të deklaroni drejtë dhe me përgjegjësi të hyrat financiare. Dua gjithashtu që të jeni të vendosur për të kontribuar në kultiuvimin dhe ruajtjen e tolerancës dhe bashkëjetesës në vend” – u shpreh Mehas ef. Alija, para më shumë se 100 të pranishmëve nga xhami të ndryshme nga e gjithë Zvicra.

Pika më e rëndësishme në këtë Kuvend, ishte dhe propozim-marrëveshja për bashkimin e dy institucioneve islame shqiptare që veprojnë në Zvicrë, UBISHZ dhe BISHZ. Në këtë pikë, e pranishme ishte dhe Kryesisa e BISHZ-së, bashkë me kryetarin e saj Fehim ef. Abazi.

Aty u hap një debat i gjerë rreth disa pikave dhe përfundimeve që ishin marrë në fund të arritjes së kësaj marrëveshjeje. Në Propozim-marrëveshjen e paraqitur para Kuvendit, ishin sjellë disa konkluzione rreth emrit që do ta bartë institucioni i ri dhe në këtë pikë ishin dakorduar që institucioni që do t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët myslimanë në Zvicër do të njihej me emrin Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ).

Ndër pikat tjera të kësaj marrëveshje, qëndronte dhe çështja e buxhetit, organizimi i haxhit, udhëheqja  me KMSHZ-në, nëse do arrihej marrëveshje për një afat njëvejçar tranzitor. Po në këtë marrëveshje ishte nënvizuar se një vit pas arritjes së marrëveshjes për bashkim, do mbahen zgjedhje, në të cilat do të zgjidhej kryesia e re, e cila do udhëheq më pastaj me KMSHZ-në. Kuvendarët u dakorduan që në këtë peridhë transitore një vjeçare KMSHZ të udhëhiqet nga Mehas ef. Alija.

Shkrirja e dy subjekteve në një, u votua njëzëri

Në fund të gjithë debatit, replikave dhe pyetjeve, u hodh në votim ideja e shkrirjes së dy subjekteve në një, me ç’rast kuvendarët njëzëri votuan pro kësaj ideje. Po në këtë takim u formua dhe një komision i posaçëm, i cili do të merrej me hartimin e një Statuti të ri, si dhe me organizimin e zgjedhjeve që do të mbahen pas një viti. Kryetar i këtij komisioni u emërua Rejhan ef. Neziri, ndërsa zëdhënës i KMSHZ-së, u zgjodh Mustafë Veseli.

Në këtë Kuvend, ishin të pranishëm përfaqësues të 38 xhamive nga ish Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare dhe përfaqësues nga 10 xhami të ish – BISHZ.

Vlen të potencohet gjithashtu, se nisma për bashkimin e dy subjekteve fetare e ka zanafillën që nga 20 Marsi i 2017-tës, në të cilën ditë,  u nënshkrua një deklaratë e përbashkët mes dy subjekteve fetare shqiptare në frymën e bashkëpunimit mes tyre dhe subjekteve të tjera religjioze që veprojnë në Zvicër.

Deklarata në fjalë e cila bëri shumë bujë në media, u nënshkrua nga Nehat ef. Ismaili, atë kohë Kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër dhe Mustafë ef. Mehmedi, kryetar i BISHZ-së. Që nga ajo ditë, në vazhdimësi është punuar që të afrohen qëndrimet dhe të realizohej kjo shkrirje e cila rezultoi me formimin e KMSHZ-së.

Si do të menaxhohet donacioni për Tërmetin në Shqipëri?

Ndër pikat më të rëndësishme të diskutuara në këtë Kuvend, ishte dhe çështja e  menaxhimit të mjeteve financiare të tubuara për rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti në Shqipëri. Edhe më herët, por edhe tani u deklarua se janë siguruar diku rreth gjysmë milioni franga për nevojat e familjeve shqiptare, të dëmtuara nga tërmeti.

Kryetari Alija, para të pranishmëve u deklarua se për këtë çështje kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetin Mysliman të Republikës së Shqipërisë dhe se të dy subjektet, u kanë ofruar mundësi konkrete për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti. Ajo që u pa si mundësi më e mirë bashkëpunimi, ishte ajo me KMSH-në, pasi siç tha Alija, “ata na ofrojnë mundësi dhe projekte konkrete dhe shumë praktike për t’u menaxhuar.”

Pas sqarimeve dhe diskutimeve rreth kësaj pike, u hodhën në votime dy variantet për të vazhduar më tej me procedurën e bashkëpunimit konkret, ajo me Qeverinë e Shqipërisë dhe variant i dytë ishte ai me KMSH-në. Në mënyrë unanime u vendos që ky aktivitet të realizohet bashkë me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

U fol që aktualisht me fondin e tubuar nga xhamitë shqiptare, boshnjake, turke, dhe arabe, të cilat veprojnë në Zvicër, do të rindërtohen 11 shtëpi të dëmtuara, një xhami, 4 vakëfe dhe disa shtëpi nga themeli, shuma e të cilave fillon nga 17’000 euro e më lartë.