Lajme

Gjermania po shqyrton mbylljen e trafikut ajror

Mbi 100 mijë persona kanë vdekur nga COVID në Mbretërinë e Bashkuar që nga rënia e pandemisë, duke e kthyer atë në vendin e parë evropian dhe të pestin në botë. Kryeministri Boris Johnson i bëri ngushëllimet e tij kujtdo që ka humbur të afërmit.

“Gjëja më e mirë dhe më e rëndësishme që mund të bëjmë për të nderuar kujtimin e të ndjerëve është të punojmë së bashku me përkushtim më të madh për të mposhtur këtë sëmundje dhe këtë do të bëjmë”, tha Johnson.

Por vendi me kuotën më të lartë 7-ditore të infektimit dhe me vdekjet për milion banorë është Portugalia, ku spitalet janë në prag të kolapsit. Për këtë arsye, qeveria po shqyrton kërkimin e ndihmave ndërkombëtare dhe t’i dërgojë të sëmurët në vende të tjera, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

“Është e nevojshme të kuptojmë se gjeografikisht kemi një situatë ndryshe, ne jemi në fund të gadishullit dhe me shumë kufizime territoriale. Por në çdo rast ka mekanizma dhe mënyra për të siguruar asistencë dhe bashkëpunim dhe ne po i marrim në konsideratë ato”, tha Marta Temido, ministre e Shëndetësisë.

Variantet e reja të coronavirusit po çakordojnë planet e udhëtimeve të bëra për vitin 2021. Gjermania po shqyrton reduktimin në “thuajse zero” të trafikut ajror ndërkombëtar, për të parandaluar infektimet nga versionet e reja. Gjithashtu, autoritetet po mendojnë mbylljen e rajoneve ku mutacionet e virusit dominojnë.

Britania planifikon të vendosë një karantinë 10-ditore të detyrueshme në hotele për udhëtarët që hyjnë në vend, për t’u siguruar që njerëzit zbatojnë rregullat e vetë-izolimit.

Deri më tani, BE kishte vendosur t’i mbante kufijtë e hapur. Por vende të tjera janë treguar më radikale. Aeroporti i Izraelit ditën e martë ishte i boshatisur dhe do të jetë i mbyllur për 1 javë. Vetëm ngarkesat, fluturime të caktuara, si dhe udhëtime për trajtime mjekësore, funerale apo procedura ligjore do të lejohen