Lajme

Trump paguan 3 milionë për rinumërim, por përfitues është Biden

Duke dhënë shumë para, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mundësuar rinumërimin e votave në shtetin Wisconsin. Deri më tani, megjithatë, ka qenë Joe Biden ai që ka shtuar epërsinë e tij falë "shërbimit" të bërë nga Trump

Një rinumërim i votave në qarkun Milwaukee, qarku më i madh i shtetit amerikan Wisconsin, nuk ka dhënë rezultatin e dëshiruar për Donald Trumpin. Ekipi i tij ka investuar gjithsej tre milionë dollarë në rinumërim, përcjell albinfo.ch. Por kundërshtari i tij Joe Biden ka përfituar nga rinumërimi deri më tani.

Ai tani ka 132 vota më shumë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Një rinumërim është gjithashtu në proces në Dane County, transmeton albinfo.ch. Rezultati pritet të jetë i disponueshëm këtë fundjavë.

Trump gjithashtu ka pësuar disfatë në Pensilvani. Një gjykatë e apelit ka refuzuar padinë e Trumpit të premten, si të pabazuar. “T`i quash zgjedhjet të padrejta nuk i bën zgjedhjet  vërtet të padrejta. Paditë kërkojnë akuza specifike dhe më pas edhe prova. Këtu nuk kemi asnjërën”, ka shkruar gjykatësi Stephanos Bibas.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gjaku i demokracisë sonë”, ka shkruar më tutje gjykatësi, përcjell albinfo.ch. Bibas është emëruar nga Trumpi për pozicionin e tij në Filadelfia në fund të vitit 2017.