Kosova

Franca mbetet destinacioni më i preferuar për azil nga shtetasit shqiptarë

Teksa më 2022 dhe 2023 një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve zgjodhën gjithnjë e më shumë të largohen nga vendi, në muajt e parë të këtij viti tendenca është ngadalësuar, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti ka pasur gjithsej 2050 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë aplikimet kanë rënë me 24%, duke shënuar nivelin më të ulët që nga pandemia, ndërkohë që janë më pak sesa gjysma e të njëjtës periudhë të 2019-s.

Franca vijon të mbetet destinacioni kryesor, ku shtetasit shqiptarë drejtohen për të kërkuar azil për shkak të lehtësive sociale që ofron, ndonëse ritmet po bien ndjeshëm.

E dyta vijon të mbetet Gjermania, me 485 aplikime (24% e totalit). Edhe drejt Gjermanisë është shënuar një rënie e fluksit të azilantëve me 22%.

Më të qëndrueshme janë kërkesat drejt Italisë, që u reduktuan me vetëm 5%. Në Itali kishte gjithsej 445 aplikime, ose 22% e totalit./Monitor