Lajme

Gjuha gjermane, shumë e kërkuar në Shqipëri

Për fuqizimin e arsimimit profesional dhe mësimit të gjuhës gjermane Shqipëria është mbështetur nga Gjermania.

Në njërin prej gjimnazeve më të mira të Tiranës në Shqipëri, “Sami Frashëri”, prej afër 5 vjetëve është duke u aplikuar projekti i mësimit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, si pjesë e iniciativës së ministrit të Jashtëm gjerman, Frank -Walter Steinmeier, që nga koha e mandatit të tij të parë në këtë post.

“Iniciativa Steinmeier” ka për qëllim ndërtimin dhe fuqizimin e “Shkollave – partnere të së ardhmes”, duke synuar krijimin e një rrjeti mbarëbotëror prej të paktën 1 mijë shkollash partnere me objektivin e konsolidimit të gjuhës gjermane si gjuhë e huaj, ndërtimin e lidhjeve vitale me Gjermaninë dhe shkollat, nxitjen e shkëmbimit të hapur të ideve dhe bashkëpunimit mes mësuesve e nxënësve.

Siç raporton “DW”, rreth 150 nxënës që studiojnë në tre vjetët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë i kanë mundësitë që jo vetëm të mësojnë cilësisht gjermanishten, por dhe të ndjekin bursa në afate të ndryshme në Gjermani, apo të zhvillojnë vizita, duke pasur kontakte me moshatarët gjermanë.

“Ata kanë akses dhe për të vijuar studimet në sistemin e shkollave dhe universiteteve gjermane, sepse diploma që marrin me përfundimin e maturës iu njihet. Pas pak javësh do të finalizojmë një partneritet të ri me një shkollë të mesme nga Baden-Württemberg-u”, thotë shefi i Departamentit dygjuhësh pranë gjimnazit „Sami Frashëri“,  Herbert Mühlfeit.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann, duke vizituar mjediset e Departamentit dygjuhësh, së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, shprehet për vijimin e mbështetjes së Gjermanisë për projekte të tilla.

“Mësimi i gjuhëve të huaja është me shumë rëndësi. Sot rreth 100 milionë njerëz në Gjermani, Zvicër dhe Austri e kanë gjermanishten si gjuhën e parë, ndërkohë që dhe shumë të tjerë në Evropë dhe pjesë të tjera të globit e njohin si gjuhë të dytë, ose kanë njohuri në nivele të ndryshme. Zotërimi i gjuhëve të huaja përbën një avantazh ekonomik dhe kulturor në kuadër të lëvizjes së lirë të qytetarëve. Këtu në Shqipëri ka një sërë institucionesh e organizatash gjermane, por dhe kompani e firma, që janë një ofertë për punësim dhe ku njohja e gjermanishtes është favorizuese”, tha ambasadori gjerman në Tiranë.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka nxjerrë në pah rolin e Departamentit dygjuhësh, si një pikë referimi për modernizimin e shkollës shqiptare.
“Projekte të tilla ne do të synojmë t’i përhapim dhe në shkolla të tjera, jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të tjera, për të shtrirë sa më shumë filozofinë e të nxënit me metoda bashkëkohore. Modeli gjerman i arsimit është shumë i vlefshëm në këtë drejtim”, tha Nikolla.