Lajme

Gjykata kundërshton projektin e teleferikut mbi liqenin e Cyrihut

Projekti pritej të kishte një kosto prej 50-80 milionë franga zvicerane (50-81 milionë dollarë amerikan)

Gjykata e Cyrihut ka hedhur poshtë projektin e teleferikut mbi liqenin e Cyrihut, i njohur me emrin “Zuribahn”, i cili nuk kishte mbështetjen e mjaftueshme të autoriteve lokale, shkruan Swissinfo.ch.

Gjykata ka anuluar planin e ndërtimit të teleferikut të qytetit, i cili ishte prezantuar nga Zurich Cantonal Bank (ZKB) për ta shënuar 150-vjetorin e themelimit, në vitin 2020, përcjell Albinfo.ch.

Teleferiku “Zuribahn”, i cili do të ishte në atë vend për 5 vjet, kishte mbështetjen e qytetit të Cyrihut dhe të autoriteteve kantonale, por hasi në kundërshtime të ashpra lokale.

Sipas planit, teleferiku do të kishte 18 kabina, secila e gatshme të mbajë 34 persona, në mes të plazhit Mythenquai në njerën anë të liqenit dhe parkut Zurichhorn në anën tjetër. Projekti pritej të kishte një kosto prej 50-80 milionë franga zvicerane (50-81 milionë dollarë amerikan), e cila do të paguhej e tëra nga banka ZKB si një dhuratë për qytetin, përcjell Albinfo.ch.

Në vendim, gjykata tha se projekti ishte përfshirë në planet rajonale – jo një dokument kantonal. Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e legjitimitetit demokratik, veçanërisht duke pasur parasysh që teleferiku do të ketë një ndikim në peizazhin e liqenit.

Zvicra ka shumë lidhje teleferike në regjionet malore, por të rralla janë ato në zonat urbane, ashtu siç është kundërshtuar ky projekti mbi liqenin e Cyrihut.