Autotech

Huawei shet më shumë telefona se Apple

Huawei duket se ka arritur një rekord historik, duke lënë pas Applen e duke u bërë i dyti më i shitur në botë.

Prodhuesi kinez i smartfonëve ka shitur rreth 54 milionë telefona gjatë tremujorit të fundit, 40 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo sasi telefonash “të zgjuar” të shitur është e mjaftueshme, jo vetëm për të mundur Applen, por edhe për të ngushtuar distancën me liderin e tregut, Samsungun.

Ky i fundit ka shitur më shumë se 70 milionë telefona në tremujorin e fundit, duke shënuar një rënie prej 10 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përcjell albinfo.ch.

Rritja e vazhdueshme e Huaweit është mbresëlënëse sipas ekspertëve, pasi ka mundur të hyjë dhe të dalë në majë, në tregje ku deri kohët e fundit emri i tij ishte i panjohur.

Shitjet botërore të smartphone-ve ranë për të tretin tremujor radhazi, nga prilli në qershor me 1,8% në 342.0 milionë njësi, krahasuar me 348.3 milionë njësi një vit më parë.

Kjo është rënia e katërt tremujore në histori, e cila i atribuohet tkurrjes në disa tregje me penetrim të lartë, edhe pse raporti tregon se ekzistojnë tregje me rritje të shpejtë që duhet t’i rikthejnë dërgesat e smartphone-ve te një rritje të përgjithshme.

Xiaomi dhe Oppo u renditën në pesëshen e parë, me shitjet që arritën në 31,9 milionë dhe 29,4 milionë njësi, me një pjesë tregu respektivisht 9,3% dhe 8,6%.