Integrimi

Kandidati shqiptar në kryetitujt e medieve zvicerane

Në bazën e EVP-sëj janë dëgjuar komente nervoze për kandidimin e Blerim Bunjakut me këtë parti të krishterë për asamblenë e Winerthurit. Por krerët e partisë e përkrahin këtë kandidim

Kandidimi i Blerim Bunjakut për asamblist në komunën e Winterthur-it, duke përfaqësuar një parti  me parashenja fetare të krishtera – Partinë Evangjeliste Popullore (EVP) ka ngritur mjaft pluhur në shtypin zviceran. Përkatësia myslimane e kandidatit shqiptar ka qenë ajo që ka ngritur temperaturën në kokat  e disa anëtarëve të kësaj partie dhe kësaj i ka bërë jehonë edhe shtypi i këtushëm.
Ka qenë së pari gazeta e Winterthurit “Der Landbote” që ka ndjekur fillin e ngjarjes, duke pyetur krerët e partisë së vogël por me ndikim se si është bërë e mundur që një mysliman të bëhet kandidat i një partie të krishterë. Pastaj gazeta “Blick” duke marrë shkas nga “Landbote” ka intervistuar Bunjakun.

“Blerim Bunjaku (35) është mysliman. Ai kandidon për EVP- në e Winterthurit për parlamentin e qytetit, (në zgjedhjet që mbahen më 9 shkurt). Kjo ka ngjallur reagime në bazën e kësaj partie të krishterë. Partia përfaqëson në mënyrë të theksuar vlerat fetare të krishtera.

Ndërsa kandidati i saj më i ri nuk përshtatet plotësisht në programin e partisë, shkruan blick.ch.  

“Unë nuk jam mysliman, praktikues i fesë”, ka thënë ndërmarrësi i IT-së për gazetën “Landbote”. Ndërsa i pyetur nga blick.ch , ai shprehet: „Unë jam një zviceran krenar me rrënjë shqiptare, pasi që Zvicra është mëmëdheu im.  Për mua prioritet kanë vlerat dhe arritjet. E përfaqësoj EVP-në në mënyrë të plotë. I jam bashkuar kësaj partie pasi që ajo i përfaqëson vlerat që kanë rëndësi për mua, si: parimet e drejtësisë, dashuria dhe respekti. EVP është një parti e vogël me shumë simpatizantë.

Më tutje, sipas asaj që e citon blick.ch, kandidati shqiptar thotë: Zgjedhja ime në Asamblenë e qytetit me siguri do të frymëzojë shumë të rinj dhe shpresoj se do t`i shtyjë ata që të ballafaqohen më tepër me politikën.

Unë dua po ashtu të përpiqem t`i reduktoj paragjykimet për njerëzit, pavarësisht drejtimit të tyre religjioz.  Si zviceran unë i njoh dhe i respektoj të gjitha nacionalitetet dhe besimet fetare”.
Por, vazhdon portali, kandidimi i një myslimani nxeh kokat në bazën e partisë. Ka pasur komente nervoze për kandidimin e tij në partinë e krishterë.

Nga ana tjetër, Blerim Bunjaku për blick.ch thotë se ka marrë shumë reagime pozitive nga partia, për kandidaturën e tij. Madje ai thotë të ketë pasur zëra kritikë nga myslimanët. Këtu ai përmend një koment të një lexuesi ë albinfo.ch, i cili thotë se nuk mund ta kuptojë arsyen përse Bunjaku kandidon për Partinë Evangjeliste. “Ata i kanë sulmuar gjithmonë me të madhe faltoret tona në gjithë Zvicrën”., citihet komentuesi.
Ndërsa shefi i degës së EVP-së për Winterthur, Nik Guger, i cituar nga “Landbote” thotë se Bunjaku ka nënshkruar kodin e etikës, ku ka plotësuar se është “pa konfesion”. Ai, sipas Gugger, është shprehur qartë për vlerat “e krishtera-perëndimore”.

Kreu i partisë në qendër po ashtu e mbron Bunjakun. Kryetarja e partisë, Barbara Günthard Fitze thekson se partia nuk është përçarë, pasi që kryesia e ka miratuar njëzëri kandidimin e Bunjakut. “Jezu Krishti është përpjekur gjithmonë për të pranuar njerëzit që nuk i janë përshtatur në mënyrë të plotë skemës”, thotë Günthard.

Të huajt e natyralizuar janë pranuar me vetëdije në listë, për të dhënë kështu sinjalin se “te gjithë  te ne duhet të kenë një zë”.

Kështu, në listën e kandidatëve të EVP-së për Parlamentin e Qytetit kanddon edhe një kandidat tjetër që nuk është i krushterë. Fjala është për një pjesëtar të religjionit Sikh, përfundon blick.ch.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI