Bota

Kaosi me fluturime përfshin Evropën, pse po ndodhë kjo

Anulimet e fluturimeve dhe radhët e gjata në aeroporte: Kjo nuk është ajo që udhëtarët kishin planifikuar teksa niseshin për udhëtimet e tyre të shumëpritura pas pandemisë. Tani, qeveritë po ndërhyjnë për të minimizuar këtë kaos

Kaosi është termi i duhur për të përshkruar më së miri skenat në aeroportet kryesore të Evropës këto ditë, pasi udhëtarët janë të detyruar të presin nëpër radhë me orë të tëra. Ata më fatkeqët përfundojnë duke humbur fluturimet e tyre.

Grevat dhe mungesat e stafit kanë sjellë anulimin e mijëra fluturimeve dhe radhë të gjata në aeroporte, pasi njerëzit nxitojnë të fluturojnë drejt destinacioneve të tyre të ëndrrave pas dy viteve që nuk kishin mundësi të lëviznin si pasojë e pandemisë, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

“Ne jemi të zemëruar sepse jemi me pushime. Ne organizuam gjithçka dhe erdhëm pesë orë më herët. Është thjesht humbje kohe. Mund të ishim duke bërë diçka tjetër,” tha për DW një pasagjer në aeroportin e Dyseldorfit.

“Fqinji im punon në aeroport dhe tha se kjo situatë ishte shkaktuar si rrjedhojë e mungesave të personelit të sigurisë – dhe kjo është marrëzi. Ti mund të kesh paguar shumë para për fluturimin tënd, kështu që është tepër e bezdisshme nëse do të duhet ta humbasësh atë,” tha një udhëtar tjetër.

Këto bllokime në qendrat evropiane si Frankfurti, Londra dhe Parisi po kërcënojnë që të heqin shkëlqimin e rimëkëmbjes së industrisë së aviacionit nga nivelet më të ulëta që arriti gjatë pandemisë në vitin 2020, kur humbi më shumë se 230 miliardë dollarë (219 miliardë euro), pasi u dëmtua nga izolimet dhe kufizimet e udhëtimeve.

Mungesa e fuqisë punëtore vë aeroportet përballë vështirësive

Rikthimi i shpejtë i fluturimeve e ka befasuar industrinë, teksa ajo po përpiqet të grumbullojë staf të mjaftueshëme për të përballuar fluksin e udhëtarëve në aeroporte.

Linjat ajrore, aeroportet dhe kompanitë e tjera të përfshira në këtë industri u detyruan të zvogëlojnë fuqinë e tyre punëtore gjatë pandemisë. Por, tani që kërkesa po rikthehet me ritme të shpejta, ata po hasin në vështirësi për të punësuar staf të ri.

Gjendja e tyre po përkeqësohet akoma më tepër nga tendenca e njerëzve pas pandemisë, të cilët janë bërë më të kujdesshëm dhe përzgjedhës kur vjen fjala te puna, duke iu shmangur pozicioneve me kushte të këqija pune dhe paga të ulëta.

“Tregu gjerman i punës vazhdon të jetë shumë i kontraktuar. Punëkërkuesit mund të zgjedhin nga një numër i madh vendesh të lira, ndërkohë që punëdhënësit e kanë të vështirë të plotësojnë pozicionet vakante,” tha për DW një zëdhënës i operatorit Fraport të aeroportit të Frankfurtit. “Për më tepër, procesi i rekrutimit në aeroporte është tepër kompleks dhe kërkon kohë. Kjo për faktin se shumë aktivitete operacionale në fushën e aviacionit zhvillohen në zona të lidhura me sigurinë dhe me akses të kufizuar.”

Duke pasur parasysh bllokimet në aeroporte, udhëtarëve u rekomandohet të mbërrijnë në aeroporte deri në 2,5 orë përpara fluturimeve brenda vendit, mundësisht të bëjnë check-in në internet dhe të sigurohen që çantat e kabinës së tyre të jenë të paketuara siç duhet, për të ndihmuar në shmangien e vonesave në pikat e kontrollit të sigurisë.

Një valë anulimesh e fluturimeve

Linjat ajrore kanë anuluar mijëra fluturime në javët e fundit për shkak të këtyre bllokimeve. Vetëm Lufthansa ka anuluar afro 3,000 fluturime.

Të martën, shefi ekzekutiv i Lufthansa, Carsten Spohr, u kërkoi falje punonjësve dhe klientëve të kompanisë së tij për kaosin e shkaktuar me fluturimet, raportoi Reuters.

“Ne sigurisht kemi bërë gabime duke shpëtuar kompaninë tonë dhe duke shkurtuar më shumë se 100,000 vende pune gjatë dy viteve të fundit,” shkroi Spohr në një letër drejtuar stafit të kompanisë. “A shkuam më larg se sa duhej për uljen e kostove, nën presionin e më shumë se 10 miliardë eurove (10.5 miliardë dollarë) që përkonin me humbjet e shkaktuara nga pandemia? Sigurisht që edhe kjo mund të jetë një faktor,” shtoi ai.

Kompania po rekruton staf të ri, duke përfshirë mijëra punonjës në Evropë, por këto përpjekje do t’i japin rezultatet e tyre në dimër, tha Spohr.