E-Diaspora

Kënga e Gjon Bisakut, zgjidhet fituese për himnin e Botërorit

Pas votimit të përgjithshëm ai ka dalë në vendin e parë dhe kjo këngë është shpallur fituese, madje, kënga është në gjuhën shqipe, ku përmendet Lorik Cana dhe Granit Xhaka

E përditshmja zvicerane “20 minuta” kishte hapur garën për himnin që do ta ekzekutojë në mediat e saj për Kampionatin Botëror në Rusi, që zhvillohet nga 14 qershori deri më 15 korrik.

Në këtë garë kanë marrë pjesë shumë këngë, derisa redaksia e gazetës ka përzgjedhur komponimet më të mira, përcjell albinfo.ch.

Ndër konkurruesit ishte edhe shqiptari me origjinë nga Kosova, Gjon Bisaku, me titullin “Ole”.

Pas votimit të përgjithshëm ai ka dalë në vendin e parë dhe kjo këngë është shpallur fituese, madje, kënga është në gjuhën shqipe, ku përmendet Lorik Cana dhe Granit Xhaka.

Gjon Bisaku me këngën “Ole” fitoi 32 % të votave, duke u renditur në vendin e parë.

Ai i ka falënderuar të gjithë për përkrahjen. “Të nderuar redaktorë të faqes zyrtare ‘20 minuten.ch’. Jemi të privilegjuar, që na keni mundësuar ne që të marrim pjesë me këngën në gjuhën shqipe në konkurrim për t’u zgjedhur kënga më e mira. Falënderoj të gjithë të gjithë ata që e kanë pëlqyer këngën ‘Ole’ dhe e kanë votuar, duke u zgjedhur më e mira në Zvicër. Pa përkrahjen e miqve kjo nuk do të ishte e mundur. Gjithashtu falënderoj edhe mediat shqiptare për përkrahje. Suksesi i gjithë kësaj është nga komponisti dhe tekstshkruesi Ilir Berani”, ka shkruar Gjon Bisaku.