E-Diaspora

Konferenca “Diaspora Flet”  bashkon në Prishtinë potencialin e Diasporës me Kosovën

Në konferencën katër ditore për diasporën, platforma albinfo.ch në Zvicër do të realizojë më 19 maj pjesën e konferencës që ka të bëjë me shkëmbimin e përvojave të Diasporës me Kosovës

Organizata joqeveritare Germin sjellë për herë të parë në Kosovë mbi 100 profesionistë të fushave të ndryshme nga diaspora shqiptare në Kosovë, përmes konferencës Diaspora Flet, e cila mbahet nga data 17 deri 20 maj 2018.

Diaspora historikisht ka luajtur rol kyç në zhvillimet ekonomike dhe politike si në Kosovë, po ashtu edhe në rajon. Vlenë të theksohet kontributi i diasporës përgjatë krizave në vitet e ’80-ta dhe ’90-ta, prandaj lidhja, avokimi, dhe bashkëpunimi mes diasporës dhe Kosovës ka rëndësi të veçantë dhe si e tillë duhet trajtuar nga vendet amë.

Qëllimi i konferencës Diaspora Flet është që të krijojë mekanizma efektiv dhe mundësi për angazhimin e diasporës shqiptare, si grupin më të madh social jashtë vendit, në procese të rëndësishme për vendin e tyre amë por edhe vetë diasporën. Konferenca po ashtu do të shërbejë si një hapësirë për anëtarët e diasporës që të lidhen, të angazhohen dhe të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me institucionet publike, si dhe të avokojnë për të drejtat e tyre ekonomike, shoqërore, edukative dhe politike.

Përbrenda një programi katërditor që do të përfshijë folës nga komuniteti i diasporës që vijnë në Prishtinë nga vendet e ndryshme të botës, si dhe pjesëmarrës të tjerë si: politikbërës nga Kosova,  rajoni dhe ekspertët më të njohur ndërkombëtar në fushën e angazhimit të diasporës në vendet e tyre amë, do të trajtohen praktikat globale dhe ndërlidhjet në mes të diasporës, zhvillimit ekonomik e politik si dhe diplomacisë.

Germin në kuadër të konferencës katër ditore Diaspora Flet ka paraparë:

  • Hapjen e konferencës e cila do të bëhet nga Kingsley Aikins, dhe gala mbrëmje për pjesëmarrësit, më 17 maj 2018;
  • Diaspora Flet në Kuvend, që ka për qëllim të bëjë së bashku komunitetin e diasporës me ligjvënësit kosovar, përmes një mbledhje të përbashkët në sallën e seancave në Kuvendin e Kosovës. Pas mbledhjes do të mbahen takime pune me komisione parlamentare e ku do të prezentohen dhe diskutohen të gjeturat e 11 raporteve, 4 analizave dhe 7 planeve të veprimit të punuara nga 130 profesionistë nga diaspora. Këto aktivitete mbahen më 18 maj 2018;
  • Dita e Sektorit Privat, do të bashkojë biznese dhe ndërmarrje nga diaspora të cilët nëpërmjet paneleve të diskutimit do të kenë mundësi të trajtojnë potencialin financiar dhe filantropik ekzistues në Diasporë, dhe mundësitë e krijimit të urave lidhëse me vendet amë. Ky aktivitet mbahet më 19 maj 2018;
  • Diaspora në komuna do të dërgojë përfaqësues të komunitetit të diasporës nëpër komuna të ndryshme në Kosovë për të vlerësuar mundësitë e investimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira për zhvillim të vendit në nivel lokal. Ky aktivitet mbahet më 20 maj 2018.

Nëpërmjet kësaj konference synohet që përtej diskutimit, të dalë me rekomandime konkrete, dhe plane afat-gjata të lidhjes së potencialit të diasporës shqiptare me vendet amë.

Germin është organizatë joqeveritare që përdorë teknologjinë dhe kanalet digjitale për të lidhur dhe angazhuar diasporën në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të saj amë.

Konferenca Diaspora Flet organizohet në kuadër të programit Dialogu i Strukturuar për të Drejtat Diasporës, i mbështetur nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA), dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).