Storje Suksesi

Kosova, një burim sfidash

Në moshën 27-vjeçare, Jetmir Halimi vendos të kthehet në Kosovë dhe themelon startup-in e tij ‘Trekandi’. Me shkollim në sektorin e financave, si dhe me përvojë të fuqishme profesionale në fushën e sigurimeve në Zvicër, në Kosovë ai zgjedh të ndërtojë të ardhmen e tij profesionale.

Firma e tij e re ofron, me ueb sajtin dhe aplikacionin e tij, një mjet për të krahasuar produktet bankare në Kosovë, në modelin e ueb sajtit të njohur ‘Comparis’ në Zvicër. Jetmiri tashmë ka angazhuar tre bashkëpunëtorë vendës me kualifikime të nivelit të lartë.

Ndërsa shumica e kosovarëve të rinj po kërkojnë të largohen nga vendi, Jetmiri po shkon kundër kësaj prirjeje. Ky është një hap i pazakontë. Ndërsa shumica e banorëve të vendit flasin për situatën ende të pasigurt politike, korrupsionin dhe papunësinë e lartë, sipërmarrësi i ri mbetet optimist dhe kujton se 90% e kosovarëve përdorin internetin rregullisht, më shumë se 85% nëpërmjet smartfonit të tyre. Për të, nëse situata politike mbetet e qëndrueshme, i gjithë rajoni mund të bëjë një kërcim të madh në vitet që vijnë, veçanërisht në fushën e IT-së. “Pas punës sime të parë në Prishtinë, menjëherë vura re se Kosova kishte një talent të fshehur dhe shumë potencial për t’u bërë një vend kryesor për zhvillimin e softuerit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ka shumë njerëz ambiciozë, të aftë dhe të gatshëm për të bërë një ndryshim drastik. Të gjitha ato që kanë nevojë, janë një ndihmë e vogël në drejtimin e duhur”, thotë Jetmir Halimi, CEO i ‘Trekandi’-t.