Lajme

Kosovari angazhohet në kampin e Kakumas në Kenia

Qëndrimi dhe përjetimet në kampet e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë, është shndërruar në angazhim ndaj refugjatëve të tjerë sot për Dastid Feratin.

Në profesionin e arkitektit, ai po studion anën e urbanizmit arkitektonik të kampit Kakuma, si një ndër kampet më të mëdha të refugjatëve në Afrikë.

Përmes arkitekturës, ai po planifikon ndryshimin e direktivave të UN-it për riprojektimin e kampeve, në të cilët refugjatët jetojnë më tepër se pesë vjet, në pritje të një zgjidhjeje.

Kjo ide është mirëpritur edhe nga përfaqësuesit e UN-it, të cilëve pritet t’ua prezantojë planin përfundimtar në marsin e vitit të ardhshëm.
I gjithë ky përkushtim për refugjatët lindi pasi Dastidi ishte vetë refugjat në vitin 1999.

Ideja e Dastidit ka gjetur edhe përkrahjen e Qeverisë japoneze, vend në të cilin ai jeton dhe ushtron profesionin si ligjërues dhe hulumtues.
Kampi Kakuma, të cilin ai e ka model pune, gjendet në veri te Kenias dhe është themeluar që nga viti 1992.

Popullsia në këtë kamp është rritur në 150 mijë banorë, duke lindur edhe brezi i tretë i familjeve. E në tërë botën, jetë refugjati bëjnë 68 milionë njerëz, shkruan Kultplus, përcjell albinfo.ch.