Lajme

Kthehet me pranga “drejtori” mashtrues nga Gjermania

Nga Gjermania dhe Italia janë ekstraduar në Shqipëri dy persona të kërkuar.

I pari është Ilir Demolli, 54 vjeç, i shpallur në kërkim me akuzën e mashtrimit. Në vitin 2012, i kishte marrë me anë të mashtrimit një gruaje, një shumë 230 000 eurosh, duke iu prezantuar si drejtor i një banke private. I ekstraduari i dytë është një 27 vjeçar i cili në vitin 2012 kishte trafikuar në Itali në Minorene.

Me poshtë njoftimi Interpol Tirana:

Ekstradohen nga Gjermania dhe Italia dy shtetas të kërkuar nga drejtësia shqiptare

Nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Gjermania drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Ilir Demolli, 54 vjeç.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Mynih, më datë 05.03.2019, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas, në vitin 2012, i kishte marrë me anë të mashtrimit shtetases F.SH., një shumë prej 230 000 eurosh, duke iu prezantuar si drejtor i një banke private.

Nga kjo shumë, ky shtetas i ka kthyer të dëmtuarës vetëm 25 000 euro.

Po nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Roma/Itali i shtetasit shqiptar M. H., 27 vjeç.

Shtetasi M. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K. Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.

Shtetasi M. H. ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene, raporton TCH, përcjell albinfo.ch.