Bizneset

Kur dija dhe pasuria investohen në vendlindje

Pas përfundimit të shkollimit në Zvicër, Ragmi Ramani punoi në një fabrikë metali, ku dhe i lindi ideja që njohuritë e tij t’i bartë në vendlindjen e tij. Këtu zë fill fabrika për përpunimin e metalit “Eurometall” në Kumanovë

Kishte ardhur shumë i ri në Zvicër. Një pjesë të shkollës, Ragmi Ramani nga Kumanova e Maqedonisë, e mbaroi në Zvicër dhe më pastaj regjistroi dhe përfundoi me sukses degën e menaxhimit të biznesit në Universitetin e Cyrihut, shkruan albinfo.ch. Atë kohë, biznesmeni shqiptar e kujton si shumë të vështirë, saqë shpesh herë e mendonte të kthehet në vendlindje. “Ne kemi ardhur në Zvicër në vitin 1983, me banim në Marwill të Thurgaut. Ishte kohë shumë e vështirë për mua. Nuk takoja asnjë njeri rrugës, ishte vetëm babai im që më priste. Shqiptarët atëherë jetonin pa familje. Nuk kishte asnjë shqiptar të gjeneratës sime. Mërzitesha shumë saqë shpesh mendoja të kthehem sërish. Por, me vazhdimin e shkollimit fillova të mësoj gjuhën dhe gradualisht edhe të integrohem. Më pastaj regjistrova dhe përfundova degën e menaxhimit të biznesit në Universitetin e Cyrihut”, ka thënë ai për “albinfo.ch”.

Pas përfundimit të studimeve, ai hapi fabrikën “Eurometall” për përpunimin e metalit në vendlindje, në Kumanovë. Sot, Ragmi Ramani në fabrikën e tij, posedon në vendlindje teknologji moderne nga të gjitha makineritë për përpunimin e metalit. “Fabrika “Eurometall” punën e saj e ka filluar para 18 vitesh, gjegjësisht në vitin 2000. “Ne bëjmë përpunimin e metalit dhe prodhimin e inventarit për industri”.

Por, biznesi i Ragmi Ramanit nuk është ndalur vetëm në Kumanovë. Fabrika “Eurometall” me prodhimin e saj ka depërtuar edhe në Evropë. Ajo ka filialet e veta në Zvicër (Riedt Erlen), Gjermani dhe Austri.

Vetëm nëse guxon, mund të fitosh

“Të provosh në biznes edhe mund të humbësh, por nëse nuk provon gjithmonë je i humbur”, kjo thënie u jep kurajë shume personave që të nisin ndonjë biznes të caktuar ndonëse rreziku për të dështuar edhe mund të jetë evident, veçanërisht kur investimet bëhen në ato vende ku siguria e të bërit biznes nuk është edhe aq e kënaqshme. Përkundër kësaj, Ramani dëshironte që të jetë një shembull për gjeneratat e reja se si duhet të investohet në vendlindje. “Duhet të kesh vullnet dhe të jesh i vendosur. Nuk duhet të jesh frikacak. Duhet të sakrifikosh për të investuar. Ndoshta edhe mund të dështosh, por ne duhet të jemi shembull për gjeneratat e reja se pavarësisht vështirësive, shqiptarët duhet të investojnë në vendlindjen e tyre kudo që jetojnë dhe të hapin vende të reja të punës”.

Pas përfundimit të shkollimit në Zvicër, ai punoi në një fabrikë metali, dhe aty i lindi ideja që njohuritë e tij t’i bartë në Kumanovë. “Në fabrikën ku punoja, filluan tërheqjen e makinerive dhe unë shfrytëzova këtë mundësi, duke i blerë ato. Ishte e vështirë t’i blija me para të gatshme, sepse kushtonin shumë, kështu që arritëm marrëveshje me udhëheqësit e fabrikës që pagesën ta bëja më këste. Çdo vit i blija nga dy – tri makineri të cilat fabrika i tërhiqte prej prodhimit, kurse sot kemi teknologjinë më moderne të makinerisë për prodhim”, thotë ai duke shtuar se që në moshën 8 vjeçare e kishte ëndërruar që një ditë do të ketë firmën e tij. “Nëna gjithmonë më thoshte se si i vogël kisha pas thënë: kur të rritem do të kam firmën time”.

Sipas Ramanit, në atë kohë, vështirësitë nuk qëndronin te hapja e biznesit apo në te investimi, por te gjetja e tregut dhe e kuadrove të kualifikuar. “Më është dashur që personalisht t’iu mbaj kurse për t’i përgatitur për punën që do ta bëjnë”.

 

Kontrata më e re kap shifrën mbi gjysmë milion franga

Sot makineritë e prodhimit që posedon fabrika e tij janë me teknologji moderne të punës.  Ai thotë se Zvicra është një shtet që mundëson shumë mirë qasjen në tregun e punës dhe të biznesit. Ragmi Ramani është shumë i kënaqur për sukseset e arritura. “Jemi tepër të kënaqur. Ne kemi tregun tashmë në Maqedoni dhe në Zvicër por në planet tona është edhe hapja e filialeve në Shqipëri dhe Kosovë”.

Punëtorët e tij janë shumica shqiptarë por ka edhe të nacioanaliteteve tjera, në veçanti, zviceranë. “Në Kumanovë i kemi 10 punëtorë të rregullt. Po ashtu edhe në Zvicër janë afërsisht po kaq. Megjithatë sipas nevojës marrim punëtorë të huazuar (Temporer) që numri arrin deri në 20 punëtorë”.

Për suksesin e fabrikës “Eurometal” dhe interesimin e të tjerëve për të pasur prodhimet e kësaj fabrike, tregon më së miri edhe kontrata më e re të cilën na e tregoi z. Ramani. Puna fillon në muajin nëntor të këtij viti. “Kjo është kontrata që kemi arritur tash së fundmi. Siç po e shihni shuma e saj është 516,960 mijë franga. Kjo tregon besueshmërinë, korrektësinë, seriozitetin që kemi ndaj punës dhe klientëve tanë”.

Ragmi Ramani është vetëm njëri nga shembujt e sukseseve të shumë bashkatdhetarëve tanë të cilët përveç shtrirjes së tyre në biznes në vendin ku jetojnë,  nuk harrojnë investimet e tyre edhe në vendlindje.

Nuk kishte asnjë shqiptar të gjeneratës në vendin ku jetonte

“Kam ardhur në Zvicër në vitin 1983. Shqiptarët atëherë në Zvicër jetonin pa familje. Nuk kishte asnjë shqiptar të gjeneratës sime. Mërzitesha shumë saqë shpesh mendoja të kthehem sërish. Por, me vazhdimin e shkollimit fillova të mësoj gjuhën dhe gradualisht edhe të integrohem. Më pastaj regjistrova dhe përfundova degën e menaxhimit të biznesit në Universitetin e Cyrihut”.

Blen me këste makineritë nga Zvicra dhe i bart në Kumanovë

“Në fabrikën ku punoja, filluan tërheqjen e makinerive dhe unë shfrytëzova këtë mundësi, duke i blerë ato. Ishte e vështirë t’i blija me para të gatshme, sepse kushtonin shumë, kështu që arritëm marrëveshje me udhëheqësit e fabrikës që pagesën ta bëja më këste. Çdo vit i blija nga dy – tri makineri të cilat fabrika i tërhiqte prej prodhimit, kurse sot kemi teknologjinë më moderne të makinerisë për prodhim”.