Lajme

Kusari në Vjenë: Kosova, vend i sigurt për investime

Gjatë vitit 2025, eksportet e Kosovës drejt Austrisë tejkaluan 15 milionë euro, ndërsa importet nga Austria arritën në 110.6 milionë euro

Në Forumin Ekonomik të Vjenës në Austri, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, sot prezantuam potencialin ekonomik të Kosovës, progresin e arritur gjatë viteve të fundit dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investitorët dhe partnerët austriakë e ndërkombëtarë, ka njoftuar Ministrja nw Detyrw e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit tw Kosovws (MINTI), Mimoza Kusari-Lila

Kosova po dëshmon se reformat e ndërmarra, stabiliteti institucional dhe orientimi i qartë drejt zhvillimit ekonomik po japin rezultate konkrete.

Që nga viti 2019, tregtia e jashtme e vendit është më shumë se dyfishuar, eksportet janë rritur me 146%, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në afër 10% të Bruto Produktit Vendor (BPV), duke e renditur Kosovën ndër ekonomitë më dinamike në rajon.

Në adresimin tim theksova rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe krijimin e kushteve që lehtësojnë zhvillimin e sektorit privat. Veçanërisht u ndala te zhvillimi i parqeve industriale dhe teknologjike, të cilat po ndërtohen në shumicën e komunave të Kosovës, si instrumente të rëndësishme për tërheqjen e investimeve, avancimin e inovacionit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Gjithashtu, theksova nevojën për forcimin e kapaciteteve prodhuese vendore dhe mbështetjen e ndërmarrjeve që synojnë tregjet ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën gjithnjë e më konkurruese dhe tërheqëse për investitorët e huaj, transmeton albinfo.ch.

Austria mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Kosovës. Gjatë vitit 2025, eksportet e Kosovës drejt Austrisë tejkaluan 15 milionë euro, ndërsa importet nga Austria arritën në 110.6 milionë euro, duke reflektuar marrëdhëniet e forta tregtare dhe potencialin e konsiderueshëm për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona.

Mesazhi ynë është i qartë: Kosova është një vend i sigurt për investime, me institucione stabile, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe me potencial të madh për zhvillim. Kosova është e hapur për biznes, partneritete strategjike dhe investime që krijojnë vende pune, rrisin eksportet dhe kontribuojnë në një ekonomi më të fortë e më konkurruese për qytetarët tanë.