Literaturë

Letërsia shqipe në gjermanisht përmes projektit “Eagle Books”

Këto përkthime bëhen të arritshme për një audiencë të gjerë në mbarë botën, përmes një librarie online. Oferta për këtë duhet të jetë e larmishme

Cilido që dëshiron të lexojë një libër të Ismail Kadaresë në gjermanisht, mund ta gjejë shpejt atë që kërkon. Por në rast se doni t’i përkushtoheni letërsisë shqipe, do të ju duhet të dorëzoheni shpejt nëse nuk e zotëroni gjuhën shqipe. Eaglebooks dëshiron ta ndryshojë këtë.

Në një video promovuese të publikuar në YouTube, shoqata e përmendur përshkruan këtë problem përmes personazhit imagjinar, Enora, shkruan albinfo.ch. Gjatë pandemisë së koronës, kjo vajzë amerikane dëshiron të shfrytëzojë kohën për të mësuar më shumë për rrënjët e saj shqiptare dhe kishte dëshirë të lexonte një libër të Andon Zako Cajupit. Por ajo dështon për shkak të mungesës së njohurive të saj nga gjuha shqipe. Kështu i lindi ideja për të përkthyer libra nga shqipja!

dr. Visar Vela e njeh këtë problem sepse ai ka zbuluar të njëjtat pengesa edhe te nipërit e tij të vegjël. Vitin e kaluar ai ka themeluar shoqatën “Eagle Books”. Dr. Vela është marrë me projektin së bashku me Anxhela Ndrion, një amerikane me prejardhje shqiptare dhe Kozeta Kokollarin, e cila jeton në Gjermani. “Eagle Books” synon të kapërcejë barrierat gjuhësore dhe ta bëjë historinë dhe kulturën shqiptare të qasshme për dashamirët e letërsisë përmes përdorimit të mediave të reja.

Vela shpjegon se si duket kjo ofertë letrare online:

“Ne duam të përkthejmë një gamë të gjerë librash nga gjuha shqipe, në gjermanisht dhe anglisht. Këto përkthime duhet të bëhen të arritshme për një audiencë të gjerë në mbarë botën, përmes një librarie online. Oferta për këtë duhet të jetë e larmishme, përcjell albinfo.ch. Me këtë veprim prej pionieri, mund të rizbulohen shumë tregime dhe pjesë letrare të panjohura dhe magjepsëse nga rajoni shqipfolës i Ballkanit.

Si rrjedhojë, shumë vepra letrare të panjohura do të gjenin vend në radhët veprave të letërsisë botërore. Duke filluar nga antikiteti, pastaj koha e kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane e deri në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, pasuar nga koha e represionit komunist dhe deri te fillimi i kohëve moderne. Në të njëjtën kohë, ata duan të përfshijnë në gamën e tyre edhe autorë të rinj krijues.

Një kategori të rëndësishme në “Eagle Books” duhet të përfaqësojë edhe letërsia bashkëkohore, e cila trajton tema aktuale. Në këtë mënyrë, të rinjtë njohin më mirë letërsinë e tyre dhe përmirësojnë njohuritë e tyre të gjermanishtes, gjë që ndihmon në integrimin e tyre”.

Përveç kësaj, pjesëmarrësit e projektit planifikojnë të organizojnë aktivitete dhe të krijojnë një bazë të dhënash për përkthimet në gjuhën shqipe në mënyrë që në të ardhmen të përmirësojnë cilësinë e përkthimeve nga shqip në gjermanisht dhe anglisht .

Deri më tani, si partnerë këtij projekti i janë bashkuar veçanërisht organizatat studentore, si Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, shoqatat Shqiptaro-Amerikane Albanian American Cultural Alliance në DePaul, Based In Science dhe Albanian Student Association NY si dhe nga Gjermania Studentët Shqiptarë nga Stuttgarti.

“Eaglebooks” tashmë i ka vënë vetes synimin për fazën e parë, i cili duket kështu: 10 libra do të përkthehen nga shqipja në gjermanisht dhe anglisht. Meqenëse për përkthime të tilla duhen angazhuar profesionistë, aktualisht duke u zhvilluar fushata e parë e dhurimit të mjeteve (gofundme) .

Ndihmoni në arritjen e këtij qëllimi në: gofundme.com