E-Diaspora

Luan Krasniqi trimëron të rinjtë shqiptarë për integrim

Shkollimi i të rinjve duhet të jetë prioritet për shqiptarët jashtë vendit, tha për albinfo.ch Luan Krasniqi, i pranishëm në mbrëmjen e boksit të mbajtur në Winterthur

Mbrëmja e madhe e boksit që u mbajt të shtunën  në sallën e hotelit Römertor të Winterthurit ka kaluar në shenjë të boksierëve shqiptarë. Said Xhemaili, Ylber Tairi dhe Ardian Krasniqi kanë boksuar në konkurrencën e amatorëve.

Ndërsa lufta kryesore e mbrëmjes ka qenë ajo në mes të boksierëve profesionistë të kategorisë super të mesme në mes të Butrint Ramës dhe hungarezit Achilles Szabo. Fitorja e merituar i takoi boksierit me perspektivë nga Winterthuri, Butrint Rama. Lufta në të cilën Butrint Rama ishte bindshëm më i mirë se kundërshtari i tij, u desh megjithatë të luftohej deri në fund. Szabo u tregua mjaft i qëndrueshëm dhe i shkaktoi atij jo pak telashe dhe djersë deri në minutën e fundit të rundit të gjashtë. Gjyqtarët në tavolinë i dhanë të gjithë fitoren me pikë Butrint Ramës.

Me këtë fitore boksieri shqiptar vazhdon serinë e luftërave pa asnjë humbje. Bilanci i tij tashmë është 9 meqe – nëntë fitore, pesë prej të cilave me nokaut.

Një arsey më shumë për të qenë të pranishëm në këtë mbrëmje luftërash ka qenë prania e legjendës së boksit. Luan Krasniqi. Ai kishte ardhur në Winterthur për të mbështetur Butrint Ramën, i cili ushtron në klubin e tij, në Gjermani dhe ushtrohet nga Agim Krasniqi, vëllai i Luanit.

Një meq me rëndësi për plasimin e Butrintit në ranglistat e boksit botëror

Duke folur lidhur me këtë mbrëmje boksi, Krasniqi tha për albinfo.ch se e gëzon pa masë fitorja e Butrintit. “Jemi shumë krenarë me suksesin e tij. Butrint Rama sonte tregoi se është talent i madh, i disiplinuar dhe ndodhet në rrugë të mirë për të korrur suksese edhe më të mëdha. Së pari besoj se ai shumë shpejtë do të bëhet kampion i Gjermanisë dhe më tutje edhe kampion i Evropës. Sigurisht fitorja e sontme do ta ngrejë më lartë në ranglistat e boksit botëror”, thotë Krasniqi.

Luan Krasniqi vitet e fundit është shumë i pranishëm me aktivitete sportive me karakter humanitar. Ai thotë se më 16 nëntor të vitit të kaluar ka boksuar kundër ish boksierit Hück për të mbledhur fonde për “SOS Kinderdorf” të Prishtinës –

“Nga ky meq janë grumbulluar 100 mijë euro. Ndërsa nga vrapimet që kam bërë gjithashtu me qëllim humanitar, janë grumbulluar 15 mijë euro. Së shpejti do të shkojmë në Kosovë dhe do të dorëzojmë atje çekun prej 65 mijë eurosh për SOS-KInderorf-in e Kosovës”, shprehet Krasniqi.

Ai thotë se ka plane të mëtutjeshme lidhur me aktivitetin “Charity Weltmeisterschaft” (kampionat botëror në humanitet), që është mbajtur për herë të parë vitin e kaluar. “Ky kampionat do të mbahet në vjeshtën e këtij viti, kur unë do t`i kryqëzoj dorezat me një personalitet shumë të madh, boksier emrin e të cilit tash për tash nuk po e tregoj, le të mbetet si befasi”, thotë ish kampioni evropian i boksit.

Integrimi  i të rinjve tanë këtu, kusht pa të cilin nuk bën

Albnfo.ch i ka shtruar Krasniqit edhe një pyetje lidhur me aktivitetet që ai ka pasur për integrimin e të huajve të moshës së re në shoqërinë gjermane. Ai , prej disa vitesh ka marrë pjesë në projekte të ndryshme që ka organizuar shteti gjerman, duke vizituar shkolla me numër të madh të huajsh për të dhënë me suksesin e tij shembullin e  depërtimit si i huajnë ambientin e shoqërisë pritëse . 
“Unë mendoj se të jesh i lindur ose i rritur në Gjermani dhe të mos e flasësh mirë gjermanishten, është diçka e patolerueshme. Integrimi është niveli elementar dhe për të qenë i integruar duhet njohur mirë gjuhën e vendit dhe rregullat e jetës. Unë kam ardhur në Gjermani relativisht i rritur (në moshën 16 vjeçare). Këtu pastaj kam mbaruar shkollimin, pra kam arritur ta mësoj mirë gjuhën si dhe të arrij aty ku kam arritur. Ndërsa pjesëmarrja ime në ato projekte ka qenë që me vetë praninë time të tregoj se çka mund të arrihet me punë dhe këmbëngulje”.


Shkollimi i të rinjve tanë që jetojnë jashtë vendit duhet të jetë prioritet, shprehet Krasniqi. “Për mua është kënaqësi kur shoh shqiptarë të rinj që ndjekin studimet në universitete të ndryshme të Gjermanisë e gjetiu”.

Shkollimi dhe integrimi në shoqëri është porosia që u drejton Luan Krasniqi përmes albinfo.ch edhe shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Pas fitores së tij bindëse, Butrint Rama ka falënderuar publikun në sallë (që ka qenë me shumicë shqiptare) për mbështetjen e ofruar. Njëkohësisht ai ka falënderuar edhe portalin albinfo.ch për afirmimin e të arriturave të sportisteve të rinj shqiptarë në Zvicër e gjetiu. (B.SH.)