Jeta në Zvicër

Maçoku Chapo sërish është gjetur, jepet shpërblimi prej një mijë frangash

Njëmbëdhjetë ditë të tëra mungonte çfarëdoqoftë gjurme nga maçoku me nofkën “Chapo”. Pronarja e tij premtoi një shpërblim prej një mijë frangash për ate që do t`ia sillte. Tani, duke iu falënderuar një shkrimi në “20 Minuten”, maçoku sërish është gjetur.
“Natyrisht se rrodhën disa lot gëzimi”, pohon pronarja e stërlumtur e maçokut Chapo. Që nga data 05 maj, ai kishte humbur në St. Gallen. Atje kishte shkuar nga Zvicra Qendrore për pushime.
Pronarja menjëherë kishte filluar aventurën e kërkimit me pllakate e me premtime për shpërblim, por pa sukses. Pas një publikimi të lajmit nga “20 Minuten”, maçoku u gjend pas pak orësh. Me ditë të tëra ai ishte shetitur nëpër lagjen Schoren të St. Gallenit, dy kilometra e gjysmë nga vendqëndrimi i pushimit.
Maçokun e gjeti 19-vjeçari E. R.: “Nëna ime ma dërgoi foton e maçokut të humbur, pasi e kishte parë në afërsi të banesës tonë. Në momentin që po përgatitesha të dal jashtë për ta kërkuar, sapo e hapa derën, ai po mjaullinte”, informon Albinfo.ch.
Një e afërt e pronares kishte ardhur ta marrë maçokun menjëherë paradite dhe të hollat e gatshme ia dorëzoi në dorë E.R. Gjatë mbrëmjes pritet që Chapo më në fund të takohet me pronaren në Zvicrën Qendrore. “Chapo është duke u pritur nga më i vogli e deri te më i moshuari”, tregon me krenari pronarja. “Për këtë, ai do të pranojë një pjatë ekstra të shijshme dhe shumë ledhatime”.
Nga ana tjetër, E. R. nga St. Galleni është i lumtur për një mijë frangat. “Të shohim se çfarë do të bëjmë me këto të holla. Me siguri se me nënën time do të hamë diçka të shijshme”.