CH-Ballkani

Mali i Zi ndalon duhanin në vendet publike, gjobat janë marramendëse

Sipas këtij ligji të ri, duhani ndalohet në të gjitha ambientet publike të mbyllura, përfshirë restorantet, kafenetë

Qeveria malazeze ka nxjerrë së fundmi një ligj të ri, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambientet e brendshme publike, një sfidë kjo shumë e madhe për një vend ballkanik që ka një prej normave më të larta të pirjes së duhanit, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe në Evropë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, më shumë se një e treta e personave madhorë malazezë janë konumatorë të rregullt të duhanit.

Sipas këtij ligji të ri, duhani ndalohet në të gjitha ambientet publike të mbyllura, përfshirë restorantet, kafenetë etj.

Përjashtim nga ky ligj bëjnë kazinotë, ku duhani ende lejohet. Gjobat për të gjitha ato biznese që nuk do ta respektojnë këtë ligj të ri fillojnë nga 500 euro deri në 20,000 euro, transmeton monitor.

Ditën e djeshme të gjitha kafenetë në Podgoricë vendosën njoftime, ku shkruhej se ndalohej duhani në ambientet e brendshme, përcjell albinfo.ch.

Por si ndaj çdo ligji të ri, edhe ndaj këtij nuk kanë munguar kritikat.

“Ky ligj është thjesht një hipokrizi e përsëritur. Nëse ai do të ishte një nismë e Institutit të Shëndetit Publik, atëherë konsumi i duhanit do të ndalohej edhe në të gjitha kazinotë e vendit”, u shpreh Dusan, një konsumator i rregullt i duhanit.

Mali i Zi, që shpreson të bëhet shumë shpejt pjesë e Bashkimit Evropian, e ka nxjerrë edhe më 2004 një ligj të tillë, i cili nuk u zbatua kurrë”, përfundoi Dusan.

Edhe rregulloret e miratuara në vitin 2012, të cilat vendosnin taksa shtesë për të gjitha restorantet që kishin vazhduar të lejonin konsumin e duhanit brenda ambienteve të tyre, ishin gjithashtu joefikase.

Por, sipas deklaratës së fundit të ministrit të Shëndetit, Kenan Hrapoviq, ministria do të sigurohet që kësaj herë ky ligj të zbatohet me përpikmëri.