E-Diaspora

Mbrëmjes humanitare në Cyrih i bashkohet edhe një donator

Fondacioni ‘Action for Mothers and Children’ është duke organizuar mbrëmjen humanitare në Cyrih të Zvicrës për herën e tretë me radhë, shkruan albinfo.ch.

Ky aktivitet që do të zërë vend në Hotel Marriott, do të mbahet më 10 maj 2019, nga ora 19:00.

Mbrëmja do të përfshijë fjalime të rastit, pika muzikore, koktej rasti, si dhe një ankand që mundëson dhe inkurajon rrjetëzimin.

Ky aktivitet po mundësohet falë përkrahjes së bashkorganizatorëve: Dr. Agron Abrashi, Dr. Omer Dzemali, si dhe Sevdail Tahiri. Ndërsa mbështetës të tjerë të mbrëmjes deri më tash janë Albinfo.ch, Neosana AG, ProCredit Banka Kosova, Telegrafi si dhe Eurokoha, mirëpo thirrja për donatorë dhe sponsorë të mbrëmjes humanitare mbetet ende e hapur.

E aktivitetit humanitar i është bashkuar edhe fondacioni “Unë e du Kosovën”.

“Faleminderit fondacionit “Unë e du Kosovën” për mbështetjen ndaj mbrëmjes bamirëse ‘Shpëto Jetë’ në Cyrih, Zvicër”, kanë shkruar nga AMC, përcjell albinfo.ch.

Për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje humanitare, biletën mund ta merrni përmes platformës Jamatu, duke klikuar në linkun http://bit.ly/2OvBN3l.

Fondet nga shitjet e biletave janë paraparë për të përkrahur programet e Fondacionit ‘Action for Mothers and Children’ në Kosovë.