E-Diaspora

Mërgimtarët e fshatit Pallçisht, shembull i mirë për të gjithë

Grupi humanitar i Pallçishtit në diasporë shtroi iftar në Zvicër

Një shembull i mirë i humanizmit dhe dashurisë për atdhe është edhe grupi humanitar i fshatit Pallçisht në Zvicër. Ky grup përveç se organizon takime për anëtarët e vet, të cilat sjellin vlera integruese, ata edhe i shfrytëzojnë këto takime për të shtrirë dorën në të mirën e bashkëfshatarëve të tyre, si për rregullimin e fshatit, ashtu edhe në ndihmë ndaj njerëzve të sëmurë.

Këto ditë të agjërimit ata shtruan edhe një iftar modest, por të pasur për nga vlera e takimit e për humanitet. Mbledhja e këtyre mjeteve është në nivel jashtëzakonisht të besueshëm, transparent.

Kryetari i grupit humanitar, Bekim Saljiji, shprehet ekskluzivish për albinfo.ch: “Ky grup është formuar më 16.8.2016 në Zvicër. Vërshimet në Hasanbeg na bënë të bashkohemi e t’i dalim zot vendlindjes.

Grupi i ka 70 anëtarë aktivë dhe çdo ditë rritet numri i anëtarëve që duan t’i ndihmojnë vendlindjes, e që janë të sigurt se çdo rap apo cent që dhurohet, shkon atje ku është planifikuar”. Në pyetjen tonë se si ndjeheni në këto takime me bashkëfshatarët, ai përgjigjet: “Është vërtet kënaqësi që jam pjesë e këtij grupi dhe që pozitivisht mund ta ndryshojmë fshatin tonë”.

Në pyetjen se cilat janë temat që më së shumti e preokupojnë këtë grup, ai shton: “Temat që trajtohen më së shumti në grupin tonë janë ato të interesimit për të përkrahur njëri-tjetrin dhe që të kontribuojmë në projekte për të mirën e vendlindjes dhe për njerëzit që kanë nevojë, jo vetëm të fshatit Pallçisht”.

Se cilat janë moshat më aktive në grup dhe sa angazhohen gjenerata e dytë dhe ajo e treta në aktivitetet e grupit, kryetari shprehet:  “Anëtarët e grupit janë prej të gjitha moshave, kemi edhe në vendlindje anëtarë që angazhohen shumë për projektet tona, nuk bëjmë dallim gjeneratash, sepse të gjithë e kemi të njëtin qëllim: që të ndihmojmë vendlindjen, prandaj angazhohemi deri në maksimum, sepse pas çdo projekti e shohim suksesin, e kjo na jep edhe më shumë vullnet për t’u angazhuar në të mirën e vendlindjes. Edhe mbështetja e bashkëfshatarëve tregon se jemi në rrugën e duhur”.

Se ku takohet grupi, në Zvicër apo edhe në atdhe, kryetari tregon: “Edhe në atdhe takohemi dhe jemi shumë më të afërt mes vete falë këtij grupi që u formua në Zvicër”.

Më 9 qershor grupi në ogranizimin e Bekim Salijit, Semi Bexhetit, Nadri Mamutit, Lirim Imerit, Avni Izairit dhe Florim Bajramit nga Gjermania që erdhi special për këtë iftar, ku morën pjesë 65 persona”.

Anëtari i grupit, Lirim Imeri, thotë: “Takimet e tilla sjellin edhe bashkëpunime për një integrim më të mirë në Zvicër, edhe pse mundohemi që më së shumti të fokusohemi te vendlindja, te njerëzit që kanë nevojë për më shumë ndihmë. Normalisht shtjellojmë edhe tema të ndryshme, siç janë çështjet e punësimit të të rinjve, por gjithmonë duke mos e harruar qëllimin e këtij grupi humanitar, që është mbështeja jonë për vendlindjen”.

Sa shpesh e vizitoni Pallçishtin aktivisti i grupit, Lirim Imeri ?

“Unë e vizitoj Pallçishtin më së paku dy herë në vit”, thotë Lirimi dhe shton: “Është vendlinja ime, atje kam shumë familjarë që i vizitoj, por edhe fëmijën tim do ta mësoj që ta dojë vendin tonë të origjinës, ashtu siç e dua unë për të mos harruar nga i kemi rrënjët”.

Në pyetjen tonë sa është i organizuar mirë grupi, Lirim Imeri thotë: “Çdo gjë është në drejtim të mbarë. Këtë e dëshmojnë edhe raportet e sakta vjetore, të cilat i bën grupi për të informuar bashkëfshatarët mbi aktivitetet humane që janë organizuar gjatë gjithë vitit. Pra, puna e organizuar mirë e bënë shumë motivues, e po aq të bukur misionin tonë. Kemi mbështetur lloj-lloj projektesh që nga pajisja e fshatit me koshat e bërllogut, donacionet për personat e sëmurë, për ambulantën, renovimin e xhamisë, rregullimin e varrezave të fshatit, etj.”

Imberja Sulejmani, po ashtu një aktivist i këtij grupi humanitar, shprehet ekskluzivisht për albinfo.ch:  “Unë ndihem shumë i afërt dhe i familjarizuar me grupin, njihemi mirë me njëri-tjetrin dhe falë këtij grupi, fshati ynë është më i bashkuar se kurrë. Kjo është vlerë”.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch 

albinfo.ch

albinfo.ch
albinfo.ch