Kosova

Mërgimtari, i dëshpëruar që ia konfiskojnë veturën në Kosovë

“Çfarë kam bërë që të vjen Njësia e Krimit. Unë e kam paguar veturën me djersë dhe ndoshta kam gabuar që e kam lënë aty, por nuk kam kryer asnjë krim. Nuk jam kriminel”, shprehet Qani Shehi

Për shkak të një prishje e kishte lënë veturën e tij në Kosovë. Por, Qani Shehit, që jeton në Londër, as nuk e kishte imagjinuar se vetura e tij do të konfiskohej. Madje, Shehi, është shumë i dëshpëruar që veturën ia ka marrë Njësia e Krimit dhe Korrupsionit. “Nuk kam bërë asnjë krim. Nuk kam pasur asnjëherë me probleme me ligjin. As në Kosovë dhe as në Angli”, thotë Shehi për albinfo.ch.

Vetura e tij ishte Volvo s8, viti i prodhimit 1999, të cilën e kishte lënë në Kaçanik, aty ku e ka prejardhjen, në një parking afër banesës së vëllait të tij, shkruan më tutje albinfo.ch.

“Jam ankuar dhe kam kërkuar shpjegim, por askush nuk më ka ndihmuar, e as përgjigjur, dhe kjo më dhemb më shumë”, shton tutje mërgimtari.

“Kam kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Londër, Ministrinë e Diasporës, por nuk janë munduar as për të paktën një përgjigje të më kthejnë. Është shumë dëshpëruese”, nënvizoi Qani Shehi.

Mërgimtari është i dëshpëruar për trajtimin ndaj tij. “Çfarë kam bërë që të vjen Njësia e Krimit. Unë e kam paguar veturën me djersë dhe ndoshta kam gabuar që e kam lënë aty, por nuk kam kryer asnjë krim. Nuk jam kriminel. Ne mërgimtarët vijmë me dëshirë në Kosovë dhe nuk bën të trajtohemi në këtë mënyrë. Nuk e meritojmë. Jam i zemëruar që nuk kishte asnjë përgjigje, madje as nga Policia, se cilat janë arsyet”, ka nënvizuar Shehi.

Ai u mundua dhe u mundua për të nxjerrë veturën dhe u desh të paguajë shumë dënime, derisa në fund Dogana vendosi që ai të paguajë një shumë prej 700 euro.

Kështu pas një maltretimi të gjatë dhe të mundimshëm, ai mori veturën e tij, që e kishte blerë në Angli më 2005 për 4200 funte.

“Jam i dëshpëruar me të gjithë, sidomos me institucionet e Kosovës, që nuk janë munduar të më kthejnë përgjigje, e lërë më të më ndihmojnë. Mërgimtarët nuk e meritojnë një qasje të tillë. Dua të pyes institucionet e Kosovës se a përfshihet ky ligj në të gjithë territorin e Kosovës, më jepni një përgjigje ju lutem, sepse edhe fëmijët kur i pyetni në rrugë e dinë. Krimi dhe korrupsioni, institucionet e Kosovës e dinë shumë mirë se ku gjenden. Aty në Kosovë, jo te mërgimtarët sepse ne nuk jemi kriminel”, përfundon Qani Shehi për albinfo.ch.