Karriera në Ballkan

Meta lë Berishën, i bashkohet Ramës

Pas katër vjet bashkëqeverisje, LSI e Ilir Metës ndahet nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Ky i fundit riformatoi qeverinë, duke larguar katër ministra të LSI-së

Partia Demokratike (PD) e Sali Berishës dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e Ilir Metës janë ndarë nga koalicioni qeverisës në Shqipëri, duke bërë që të ndryshohet  edhe struktura qeverisëse në Tiranë. Kryeministri Berisha “largoi” ministrat e LSI-së dhe i zëvendësoi me ata të PD-së.

Kjo ndarje në skenën qeverisë ka ardhur pasi që Ilir Meta pranoi thirrjen e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për një koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e qershorit.

Prandaj, pas tërheqjes së LSI-së, kryeministri Berisha ia dërgoi Presidencës për dekretim, katër emra të rinj për ministra: ministër i Shëndetësisë, Halim Kosova, ministër i Ekonomisë Florian Mima, ministër i Jashtëm, Aldo Bumçi, ministër i Kulturës, Visar Zhiti.

Nga qeveria e Berishës janë larguar përkatësisht Edmond Haxhinasto, zëvendëskryemininistër dhe ministër i Ekonomisë, Edmond Panariti, ministër i Jashtëm dhe Vangjel Tavo, ministër i Shëndetësisë.

Berisha ka kryer dhe një qarkullim të një emri në dy ministri të ndryshme. Aldo Bumçi nga ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në ministër të Punëve të Jashtme.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se e ka pranuar ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të qenë pjesë e një koalicioni parazgjedhor me këtë parti, pas një divorci katërvjeçar të bashkëpunimit mes tyre.

Sipas Metës, arsye kryesore që e shtyu drejt bashkëpunimit të ri lidhej me nevojën e një ekuilibri të ri pushtetesh në vend, balancim i cili priste të sillte dhe shumë zhvillime të tjera ekonomike dhe sociale në vend, duke përfshirë dhe kryerjen e reformave që kërkoheshin për integrim.