Lajme

Nënat adoleshente: Zvicra, e fundit në Evropë

Në Bashkimin Evropian, pjesa më e madhe e lindjeve (92%), ishin nga gra të moshës 20-39 vjeç

Ndonëse të bëhesh prind është përgjegjësi, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave adoleshente.

Të dhënat nga Instat tregojnë se për vitin 2018, rreth 5.21% e lindjeve u kryen nga nëna më të vogla se 20 vjeç. Edhe pse, në krahasim me një vit më parë, kjo përqindje shënoi ulje nga 5.6% në 5.2%, mbetet një nga më të lartat në Bashkimin Evropian.

Në Bashkimin Evropian pjesa më e madhe e lindjeve (92%), ishin nga gra të moshës 20-39 vjeç.

Rreth 4% të lindjeve u kryen nga vajzat në moshë adoleshencë dhe po aq nga gratë mbi moshën 40 vjeç, transmeton Monitor.

Pjesa më e madhe e lindjeve nga nënat në moshë të re (nën 20 vjeç) u kryen në Bullgari dhe në Rumani, përcjell albinfo.ch.

Përqindja më e lartë u regjistrua në Bullgari, ku 12.5% e lindjeve në total u kryen nga adoleshentet dhe në Rumani me 12.1%. Më pas ato u ndoqën nga Hungaria me 8.5% dhe Sllovakia me 8.1%.

Në anën tjetër qëndrojnë vendet me përqindjen më të ulët të nënave në moshë të re. Danimarka kishte vetëm 1% të lindjeve të kryer nga nënat adoleshente, Italia dhe Sllovenia me 1.1%, Holanda me 1.2, Luksemburgu dhe Suedi me përkatësisht 1.4%.

Përqindjen më të ulët në Evropë e kishte Zvicra me vetëm 0.8 %.