E-Diaspora

Nxënësit nga Gostivari në trajnim dyjavor në Zvicër

Qëllimi i shkëmbimit ndërkulturor është që studentët të fitojnë njohuri dhe aftësi për të drejtat e fëmijëve, parimet e dialogut ndërkulturor dhe komunikimit, anti-diskriminimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit dhe vlerave të tolerancës mes kulturave të ndryshme

Një grup prej gjashtëmbëdhjetë nxënësish dhe dy supervizorëve nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Gostivar” janë në trajnim dyjavor në Zvicër.

Qëndrimi realizohet në kuadër të projektit “Implementimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”, të organizuar nga Koalicioni i organizatave rinore SEGA, në të cilin shkolla është përfshirë që nga viti 2012, shkruan ‘Zhurnal’.

Në kuadër të këtij projekti në shkollë me sukses funksionon bashkësia e shkollës dhe Fëmija Avokat, që punojnë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kundër-diskriminimit dhe multikulturalizmit dhe përmirësimit të kushteve për realizimin e mësimit në shkollë, përcjell albinfo.ch.

“Shkëmbimi ndërkulturor mbahet në fshatin e fëmijëve ‘Pestalozzi’, Trogen, ndërsa grupi i SHMEK ‘Gostivar’ prej 16 nxënësve është zgjedhur si rezultat i punës së deritashme aktive”, informuan nga shkolla.

Qëllimi i shkëmbimit ndërkulturor është që studentët të fitojnë njohuri dhe aftësi për të drejtat e fëmijëve, parimet e dialogut ndërkulturor dhe komunikimit, anti-diskriminimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit dhe vlerave të tolerancës mes kulturave të ndryshme.