Integrimi

Ordinanca e tetovarit hap dyert për pacientët shqiptarë në Zvicër

Ordinanca e Dr. Vullnet Odai po hap dyert këto ditë në Spreitenbach të kantonit Aargau. Në një bashkëbisedim për albinfo.ch, mjeku tetovar shpalos përvojat e tij të deritashme dhe pritjet për të ardhmen

Dr. Vullnet Odai (43), mjek internist në fushën e kardiologjisë dhe gastroenterologjisë, flet për albinfo.ch, për ecjen e tij të suksesshme që nga vendlindja në Tetovë, studimet e mjekësisë, specializimet në Gjermani dhe Zvicër, si dhe së fundi për realizimin e ëndrrës për të hapur një ordinancë që në veçanti do t’i dedikohet komunitetit shqiptar në Zvicër.

Foto Armend Berisha

Dr. Vullnet Odai është i lindur dhe i rritur në Tetovë, ndërsa tani mbi një dekadë jeton në Cyrih. Ai rrëfen për lexuesit e albinfo.ch rrugëtimin e tij jo edhe aq të lehtë nga Tetova në Gjermani dhe së fundi deri në Zvicër.

Ordinanca e tetovarit po hap dyert në kohë pandemie ndërsa mjeku ishte ballafaquar me një gjendje të pazakontë në karrierën e tij.

“Është hera e parë që përballemi me këtë epidemi të shkaktuar nga Covid-19, megjithatë ne mjekët e bëjmë punën që na takon, për t’u dalë në ndihmë të gjithë pacientëve, veçmas atyre që kanë simptoma të kësaj epidemie”, thotë Odai në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch duke bërë thirrje edhe më tutje për kujdes ngase Zvicra ende nuk e ka kaluar epideminë.

Foto Armend Berisha

Zvicra po e trajton në mënyrë të duhur pandeminë

“Ky shtet, që në fillim të shfaqjes së virusit i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të parandalimit të përhapjes së tij. Për dallim nga shumë shtete tjera, Zvicra nuk ka zbatuar ndonjë regjim të veçantë të masave të izolimit.

Por e gjithë ajo që është rekomanduar nga organizatat shëndetësore dhe autoritetet shtetërore, është respektuar me përpikëri nga popullata.

“Duke qenë se për herë të parë po ballafaqohemi me këtë lloj virusi, Qeveria e Zvicrës është treguar e kujdesshme në hartimin e strategjisë për të dalë nga kjo situatë. Masat nuk janë ekstreme, ato mund të përballohen nga të gjithë banorët, siç edhe ndodhi deri tani”, shprehet dr. Odai. Më tutje ai rrëfen për lexuesit tanë idenë e hapjes së ordinancës në Spreitenbach, një vendbanim i populluar me shumë shqiptarë në Kantonin Aargau.

“Gjithmonë kam pasur dëshirë dhe synim të hap një ordinancë timen dhe këtë synim e realizova, duke e krijuar ekipin e nevojshëm mjekësor. Mendoj se me hapjen e kësaj ordinance do të krijohen kushte ideale për një numër të madh të pacientëve që do të trajtohen me mjetet dhe pajisjet mjekësore më moderne”.

Tetovari pret që në këtë ordinancë shëndetësore të vijnë sa më shumë shqiptarë, sepse ata do t’i marrin shërbimet më cilësore të mundshme mjekësore dhe do të komunikojnë në gjuhën amtare.

Foto Armend Berisha

Pacientët shqiptarë “i kam më për zemër”

“Lokacionin e ordinancës time e kam zgjedhur në Spreitenbach, në Aargau, për të qenë më afër komunitetit shqiptar. Edhe pse të gjithë pacientët i trajtoj njësoj, me gjithë zemër, megjithatë pacientët shqiptarë i trajtoj më me zemër dhe me shpirt”, thotë Odai, duke mos harruar vendin prej nga i ka rrënjët.

“Sinqerisht, do të dëshiroja që profesionin tim ta ushtroja në vendin e origjinës, pra në Tetovë. Megjithatë jeta ka valët e saj dhe ato të bartin gjithandej. Unë veproj njësoj sikur të jem në vendin tim. Këtu kam të bëj me një sistem vlerash që s`i gjen diku tjetër. Jam adaptuar gjithsesi”, thotë më tutje ai.

Foto Armend Berisha

“Praxis Dr. Odai” edhe në Tetovë

“Dëshira dhe malli për vendlindje më ka nxitur që këtë vit të bëj edhe një hap tjetër duke hapur edhe një ordinancë internistike në Tetovë me emrin “Praxis dr Odai””, tregon internisti shqiptar.

Mbase ndryshe nga mjekët tjerë të emigruar, tetovari kishte pasur më pak peripeci për t`u adaptuar në Zvicër. “Kolegët vendas dhe i gjithë personeli mjekësor më kanë pranuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtu nuk bëjnë dallime etnie, fetare, race apo mbi ndonjë bazë tjetër. Të gjithë ata që kanë një profesion, janë të profesionalizuar, mund ta ushtrojnë profesionin e tyre, pa pasur kurrfarë pengesash. Mund të them se këtu në Zvicër më kanë pranuar dhe mbështetur që në fillim, kurse tani që kam një përvojë të duhur, gjërat po shkojnë edhe më mirë.”

Foto Armend Berisha

Kush është dr. Vullnet Odai

Dr.Vullnet Odai është i lindur dhe i rritur në Tetovë. Pas kryerjes së tetëvjeçares kishte përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë. Si nxënës i dalluar ai vazhdon studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Sofje, më pas edhe specializimin të cilin e përfundon në Gjermani. Tetovari është i specializuar edhe në mjekësinë familjare ndërsa punon si internist një klinikë ditore në Cyrih.

“Maqedonia më mësoi shumë gjëra por atje nuk e kam arritur atë që e planifikoja. Ndërkaq Gjermania dhe Zvicra më kanë ofruar kushte optimale që të ushtroj profesionin tim. Nuk kam arsye të mos jem i kënaqur me shtetin zviceran, pasi që për njeriun punëtor, këtu gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë punë.”

Bashkëpunim i mirë me mjekët tjerë shqiptarë

“Si në shumë shtete të tjera evropiane, ashtu edhe në Gjermani e Zvicër ka një numër të konsiderueshëm të mjekëve dhe  infermierëve shqiptarë. Të gjithë ata gëzojnë respekt të madh jo vetëm nga pacientët por edhe nga strukturat vendore e qendrore të shtetit. Jam krenar që shumica e mjekëve shqiptarë që punojmë këtu në institucione të rëndësishme mjekësore, realizojmë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, madje jo vetëm në fushën e mjekësisë”.

Foto Armend Berisha

Medizinisches Zentrum Dr Odai 

Fegistrasse 18

8957 Spreitenbach

056 555 26 40