Kosova

Osmani: Kompromisi i domosdoshëm për qeverinë, Kuvendin dhe presidentin

Pas zgjedhjeve, LDK kërkon marrëveshje politike mes partive; paralajmërohet mundësia e zgjedhjeve të reja nëse bllokohet procesi i zgjedhjes së presidentit

Prijësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se rezultati zgjedhor e bën të pashmangshëm kompromisin politik për formimin e institucioneve të reja në vend, përcjell albinfo.ch.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 ulëse. Në Kuvendin me 120 deputetë, për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në dy raundet e para.

Në një intervistë për CNN, Osmani ka thënë se vota e qytetarëve është një mesazh kundër politikës së centralizuar dhe në favor të bashkëpunimit ndërpartiak.

“Kosova gjithmonë ka qenë model i demokracisë kur forcat politike kanë bashkëpunuar mbi interesin e vendit,” ka deklaruar ajo, duke theksuar se kompromisi është “vlera më e rëndësishme në politikë”.

Ajo ka nënvizuar se arritja e marrëveshjes është urgjente, duke paralajmëruar se nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

Osmani ka bërë të ditur se LDK është e gatshme për dialog me të gjitha partitë politike, me përjashtim të Listës Serbe.

Sipas saj, mungesa e institucioneve funksionale e ngadalëson procesin e integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke e bërë kompromisin politik të domosdoshëm për të ardhmen e vendit.