Kosova

Parkingjet në Prishtinë do të bëhen me pagesë

Qytetarët thonë se kjo do të jetë e mirëseardhur, për shkak se trafiku në kryeqytetin kosovar është i mbingarkuar

Komuna e Prishtinës është në përgatitje të rregullores që do të përcaktojë shfytëzimin me pagesë të parkingjeve në hapësira publike në kryeqytet.

Për këtë, Komuna e Prishtinës sot do të mbajë një dëgjim publik, për të marrë vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve për rregullimin e kësaj çështjeje në zona të caktuara në kryeqytetin kosovar. Qytetarët thonë se kjo do të jetë e mirëseardhur, për shkak se trafiku në kryeqytetin kosovar është i mbingarkuar.

Mungesa e parkingjeve në kryeqytet vazhdon të jetë një ndër problemet e shumta jo vetëm për këmbësorët, por edhe për ngasësit e veturave. E në përpjekje për zbutjen e këtij problemi Komuna e Prishtinës tashmë është përcaktuar që qendra e qytetit të jetë fillimisht pjesa ku pritet të fillojë zbatimi i rregullores, e cila përcakton shfrytëzimin e parkingjeve në hapësira publike me pagesë.

Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, përmes postës elektronike.

Vendimi i Komunës për parkingje publike është i mirseardhur për qytetarët. Ata thonë që ky është një vendim shumë i qëlluar.

“Ti pe sheh edhe vetë, në mëngjes ki kolonë, pasdite edhe më shumë, dhe natyrisht që pengojnë dhe po ka hargjime të mëdha. Unë zakonisht e përdori trafikun urban për shkak se ka trafik. Në mbrëmje nuk ka tollovi edhe ka vend-parkingje më shumë se sa gjatë ditës. Ka shumë kolonë, nuk e përdori veturën. E vendosja e pagesës na kishte konvenuar shumë”.

Komuna e Prishtinës, që nga përfundimi i luftës, vazhdon të përballet me numër të madh të automjeteve nëpër trotuare dhe parkingje private, të cilat po e dëmtojnë arkën e shtetit si dhe qytetarin.