Shqiptarët që ndajnë drejtësinë në Zvicër

Përvojat me padrejtësinë, shtynë Artanin të studionte drejtësinë

Ishte nevoja për drejtësi, ajo që e kishte tërhequr Artanin për të zgjedhur pikërisht këtë drejtim për studime. Ky vendim ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij, kur si i vogël ishte trajtuar padrejtësisht

Ishin vitet e 90-ta në Kosovë kur fillon përjashtimi me dhunë i shqiptarëve nga vendet e tyre të punës. Të njëjtin fat e kishte edhe babai i Artanit, Sylejman Sadiku, i cili pasi që ishte në kryesinë e sindikatës në një fabrikë në Kamenicë, detyrohet ta lëshojë Kosovën.

Nuk shkoi gjatë kur në shtëpinë e Artanit, paraqitet policia e atëhershme serbe, me ç`rast, në mungesë të babait, arrestohet nëna e tij, e cila lirohet të nesërmen.

Kështu fillon edhe rrëfimi për Artan Sadikun, i cili qysh në moshë të re, u përball me padrejtësinë. Pas atyre ngjarjeve, ai së bashku me nënën dhe vëllain, marrin rrugën për në Zvicër, ku tashmë i priste babai i tyre, që kishte gjetur strehim atje si refugjat.

Pasi vendosen të gjithë në një fshat të Apenzell-it, këtu fillon rrëfimi i dytë për Artanin dhe familjen e tij. Pas shkollimit fillor, ai regjistrohent në një gjimnaz në një Manastir në Appenzell. Edhe pse ishte i vetmi shqiptar e me përkatësi myslimane, ai në asnjë rast gjatë shkollimit 6 vjeçar në këtë shkollë, nuk e ka ndier veten të diskriminuar nga të tjerët, por përkundrazi.

Ndjenja për drejtësinë e shtyn të studiojë juridikun

Duke qenë se ishte mjaft i lidhur me familjen, për shkak të distancave të largëta, ishte në mëdyshje se ku t`i vazhdonte studimet universitare.

„Karnevalet, qyteti dhe liqeni, numri i madh i studenteve, si dhe vleresimi i lartë për Fakultetin e Drejtësisë“- kjo ishte përgjigjja që kishte dhënë Artani gjatë fillimit të studimeve në Universitetin e Luzernit, kur ishte pyetur nga një medium lokal se pse pikërisht kishte zgjedhur Luzernin. Përgjigjje që e kujton ende e që e bën të qeshet me këtë prononcim të vetin asokohe.

Pra ishte nevoja për drejtësi, ajo që e kishte tërhequr më shumë Artanin për të zgjedhur pikërisht këtë drejtim për studime e që padyshim ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij, kur si i vogël ishte trajtuar padrejtësisht.

„Ligji është një konsensus i popullatës për bashkëjetesë, në bazë të rregullave të vendosura nga shteti, e po ashtu edhe kufizim i disa të drejtave, gjithmonë me pëlqimin e të dyja palëve“. Kështu e përkufizon ligjin Artani kur e pyesim se pse pikërisht kishte zgjedhur drejtësinë.

E pikërisht gjetjen e konsensusit mes palëve e sheh si pikë të fortë të tijën. Për të bërë këtë punë, duhen para së gjithash aftësi të mëdha ndërnjerëzore, aftësi për krijimin e besimit mes njerëzve. E duke mos mundur shkëputjeje nga e kaluara historike, ai nuk mundet të mos e përmend edhe Anton. Çettën, që edhe pse nuk ishte jurist, Artani gjithmonë e ka si shembull rezultatin e aftësinë e tij në zgjidhjen e plagëve shekullore shqiptare, siç është hakmarrja.

Avokati i parë shqiptar në Lucern

Më 2014, pas studimeve të nivelit Master në Drejtësi, Artan Sadiku, pajiset edhe me Licencën për Avokat, duke qenë kështu avokati i parë shqiptar në Luzern. Pas disa punëve të përkohshme në zyra avokatie, ai në vitin 2016, i bashkohet ekipit  të firmës së Avokatëve “Meier Rechtsanwälte”, në Luzern.

Të drejtat penale, si raste më të shpeshta, e po ashtu edhe e drejta biznesore, ato familjare, janë vetëm disa nga fushat me të cilat Artanit i duhet  të merret më shpesh dhe po ashtu, të ngjitet në shkallët e gjykatave.

Ai thotë se, krahasuar me vitet e mëhershme, tashmë çdo ditë e më shumë sheh shqiptarë që punojnë në institucione të larta të Zvicrës, përfshirë edhe gjykatat.

Por edhe pse shpesh të sulmuar padrejtësisht si kryes të veprave të shumta, sipas avokatit, kjo është më shumë propagandë mediale, sepse pjesëtarët e komunitetit shqiptar të akuzuar për krime të ndryshme në Zvicer, janë në të njëjtën shkallë me komunitetet tjera të të huajve.

Ka rënie të ndieshme të delikteve të kryera nga shqiptarët

Mirëpo një gjë që eshte shumë sinjifikante për Artanin, është se ka një rënie sa u përket delikteve të kryera nga shqiptarët, gjë që lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim të tyre në raport me ligjet.

E një rol të rëndësishëm e kanë luajtur edhe masat e rrepta ligjore ndaj kriminelëve apo edhe Nisma për Përzënien nga Zvicra të të huajve me dosje krimi (Ausschaffungs Initiative), ku fatkeqësisht ka edhe shqiptarë që janë detyruar dhunshëm të kthehen në vendet e prejardhjes.

Edhe temat mbi hakmarrjen apo vrasjet kanunore, që dikur mbushnin tabloidet e caktuara zvicerane, janë raste shumë të rralla.

Duke parë se numri i juristëve shqiptarë në Zvicër po rritet dita-ditës, me vetiniciativë Artani kishte kontaktuar disa avokatë të tjerë, duke bërë kështu hapat e parë për rrjetëzimin, apo edhe formimin e një shoqate të juristëve shqiptarë. Por edhe pse iniciativa ishte përkrahur nga Ministria e Diasporës në Kosovë, fatkeqësisht, mbeti vetëm një rrjetëzim në tentativë.

Pos në punët e avokatisë, Artanin e gjejmë shpesh edhe në bashkëpunim me Shtëpitë e Grave, ku ndihmon gratë shqiptare, që pas problemeve të ndryshme familjare (divorce, zënka, etj.), t`i njohin dhe t`i kenë të drejtat e tyre, shërbim të cilin e kryen pa pagesë. Po ashtu edhe fëmijëve shqiptarë që preken nga këto probleme, shpesh u del në ndihmë, duke shtuar këtu që është edhe përkthyes ligjor në 4 gjuhë.

 

“Shqiptarët delinkuentë” më shumë propagandë se realitet

Shqiptarët e Zvicrës, edhe pse shpesh të sulmuar padrejtësisht si kryes të veprave të shumta, sipas avokatit, kjo është më shumë propagandë mediale, sepse pjesëtarët e komunitetit shqiptar të akuzuar për krime të ndryshme në Zvicer, janë në të njëjtën shkallë me komunitetet tjera të të huajve .

 

Anëtar bordi i FC Wil

Duke qenë se si fëmijë ishte i pasionuar pas futbollit, ndërsa tash në mungesë të kohës për ndonjë hobi, ai ka gjetur një rrugë tjetër, ka 2 vite që është në bordin drejtues të klubit futbollistik FC Wil, ekip që garon në rangun e dytë të futbollit në Zvicër (Challenge League).

 

 

 

 

 

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriArtanit  Sadiku
  • Prejardhja:Kamenicë
  • Vendi ku vepron:Luzern
  • Profesioni:Avokat
  • Kontakti [email protected]