Lajme

Prof. Dr. Alban Neziri dhe kirurgia Marsela Ceno, do të ligjërojnë në Konferencën Kirurgjikale në Prishtinë

Konferenca Kirurgjikale do të mbahet në Prishtinë nga 15 deri më 18 shtator

Në Prishtina nga 15 deri më 18 shtator do të organizohet Konferenca Kirurgjikale nga Kolegji i Kirurgëve. Në Këtë Konferencë do të ligjërojnë edhe Gjinekologu Alban Neziri dhe Marsela Ceno, kirurge, përcjell albibfo.ch.

Mjekja shqiptare Marsela Ceno, jeton dhe punon në Gjermani prej vitit 2012. Ajo është drejtuese e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani dhe punon si specialiste në Klinikën Universitare të Dyseldorf-it,

Në vitin 2010 përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe ishte gati për të nisur specializimin.

Krahas specializimit që zgjati 6 vjet, kreu edhe doktoraturë 3-vjeçare për një teknike të re kirurgjikale. Tani është mjeke e suksesshme në Gjermani.

Kush është Alban Y. Neziri

I lindur në Pejë, nga dy prindër pedagogë , babai Ymeri, Profesor i Pedagogjisë dhe Nëna Mona, Profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, shkollimin fillor e kryen në vendlindje, për të filluar me atë të mesëm në gjimnazin matematikor “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Filloi studimet në degën e mjekësisë së përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, për t`i vazhduar ato pas luftës Universitetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë ku merr edhe titullin Doktor i Mjekësisë. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Grazit, ku në bashkëpunim me Universitetin e Bernës, mori gradën shkencore “Doktor i shkencave të Mjekësisë në Neuroshkencë”. Më pas, në një program pasuniversitar të Universitetit të Aalborg-ut në Danimarke dhe atij të Bernës, mbron me sukses edhe Doktoratën e dytë shkencore, duke marrë gradën shkencore “PhD” (Doktor i Filozofisë) në fushën e Shkencave dhe Inxhinierisë Biomjekësore (Biomedical Science and Enginering).

Albani është profesor i rregullt në dy universitete, në Universitetin e Bernës në Zvicër, dhe në atë të Aalborgut, në Danimarkë. Ai është edhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Departamentin e Shkencave Biomjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Bernë, si dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në shumë institucione mjekësore. Është po ashtu anëtar i kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, anëtar i kryesisë dhe i bordit shkencor të Asociacionit Shëndetësor të Kosovës dhe anëtar i bordit editorial të Revistës shkencore “Kosova Journal of surgery”. Ka botuar dy libra shkencorë, si dhe ka me dhjetëra punime shkencore ndërkombëtare. Është recensues shkencor dhe anëtar i bordit editorial në disa revista shkencore ndërkombëtare.

Punën humanitare, Dr. Albani e plotëson edhe me aktivitete jo mjekësore si Këshilltar i jashtëm i organizatës për ndihmë refugjatëve në Zvicër (Schweizerische Flüchtlinghilfe) dhe si anëtar i Caritas-it Internacional.

Dr. Alban Y. Neziri, ish i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së, është i martuar me Ryve Nezirin, kanë 3 fëmijë dhe jetojnë në Kantonin e Bernës.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI