Lajme

Rriten krimet e dhunshme në Zvicër, ekspertët flasin për shkaqet

Vrasjet, dhuna në familje dhe rastet e përdhunimeve shënojnë rritje prej 8.1%, studiuesit përmendin raportimin më të madh dhe ndikimin e mediave

Zvicra ka regjistruar një rritje të dukshme të krimeve të dhunshme gjatë vitit 2025, një zhvillim që po konsiderohet i pazakontë për një nga vendet më të sigurta në Evropë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, vrasjet, rastet e përdhunimeve dhe dhuna në familje janë rritur me 8.1 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ekspertët theksojnë se rritja mund të lidhet me disa faktorë. Një prej tyre është rritja e gatishmërisë së viktimave për të raportuar rastet e dhunës seksuale dhe asaj në familje, çka ndikon në statistikat zyrtare.

Ndërkohë, për incidentet në hapësirat publike, studiues të fushës paralajmërojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj pamjeve të luftës dhe dhunës në rrjetet sociale dhe media mund të ketë ndikim në sjelljen shoqërore.

Profesoresha Sandrine Haymoz nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arteve në Zvicrën Perëndimore (HES-SO) thekson se kjo mbiekspozim mund të çojë në “normalizimin” e sjelljeve agresive në shoqëri.

Autoritetet dhe ekspertët vazhdojnë të analizojnë shkaqet e kësaj rritjeje, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim. /Albinfo.ch