Karriera në Ballkan

Sulm me bombë kundër Stacionit të Policisë

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë se mjeti shpërthyes është granatë dore. EULEX-i reagon duke kërkuar kapjen e kriminalëve

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të martën në mbrëmje afër Stacionit të Policisë në Leposaviq, njofton Policia e Kosovës. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur pas orës 21 të mbrëmjes, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, toger Besim Hoti ka thënë se mjeti shpërthyes është granatë dore.

“Janë dëmtuar dritaret e objektit policor dhe po ashtu edhe një automjet privatë i një zyrtari policorë”, ka thënë Hoti për RTK. Sipas tij, policia ka nis me hetime për ketë incident.

Në anën tjetër, kryetari ilegal i komunës së Leposaviqit, Dragisha Vasiq, pas shpërthimit ka deklaruar se ky është edhe një sulm i radhës që ka për qëllim të frikësojë popullatën e veriut.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX).  

“EULEX-i e dënon fuqishëm sulmin e mbrëmshëm me granatë dore në stacionin e policisë në Leposaviq. Ky veprim i dhunshëm dëshmon qartë se një grup i caktuar njerëzish janë të gatshëm që ta rrezikojnë sigurinë e komunitetit lokal dhe ta pengojnë zbatimin e sundimit të ligjit”, thuhet në kumtesë.

Këto vepra, sipas EULEX-it, janë kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes dhe stabilitetit, si dhe ndikojnë thellësisht në qytetarët e rëndomtë.

“Ky ishte një sulm i qartë kundër sundimit të ligjit dhe si i tillë është absolutisht i papranueshëm. Policët janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të rëndomtë, prandaj sulmi me granatë dore në stacionin e policisë është sulm kundër qytetarëve. Kjo praktikë duhet të ndalet dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, tha shefi i EULEX, Bernd Borchardt.

Task Forca e EULEX-it për Mitrovicën dhe Policia e Kosovës, siç thuhet, i kanë filluar hetimet për gjetjen e kryerësve të këtij sulmi.

“EULEX-i i bën thirrje kujtdo që ka informata të cilat mund të jenë të dobishme në këtë rast që të lajmërohen dhe ta kontaktojnë PK-në ose Task Forcën për Mitrovicën në numrin: 038 512 638”, thuhet në kumtesë.

Ndryshe, vetëm brenda këtij viti janë regjistruar më shumë se 20 shpërthime më bomba në veriun e Kosovës. Rajoni është i banuar me shumicë serbe, ndërsa cak i sulmeve kanë qenë kryesisht punëtorët serbë që punojnë në institucioneve të Republikës së Kosovës.