Lajme

Tirana starton festivalin “Digital Nomad”, pjesë e fokusit, edhe diaspora

Tirana ka startuar festivalin “Digital Nomad” me ekspertë digjitalë nga vende të ndryshme të botës, për të ndarë përvojat e tyre me profesionistë, sipërmarrës dhe novatorë të rinj, që aktualisht eksplorojnë botën e teknologjisë dhe punës në distancë, përcjell albinfo.ch.

Sot në fokus të diskutimeve ishte edhe Diaspora. Në panelin e mundësuar nga GIZ (Programi Migration & Diaspora dhe PROSEED/BE për Inovacion) është diskutuar si mund të kontribuojë Diaspora në ekosistemin Start-up & TIK në Shqipëri. Moderatore e panelit ishte Anila Smørgrav, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe panelistë të ftuar Asetila Köstinger von Sonnenland, Armand Brahaj, Daniel Kazani, Flavio Kristo, Landa Grembi dhe Gerti Boshnjaku.

Në të tri ditët e këtij festivali që po zhvillohet në Tumo Center, janë organizuar panele të ndryshme me folës ndërkombëtarë, që i janë bashkuar edicionit të parë të “Tirana Digital Nomad Festival”, prezenca e të cilëve është mundësuar nga mbështetja e GIZ Albania dhe Bashkisë së Tiranës, si organizatore e një festivali risi në llojin e tij.

“Është shumë pozitive se si ka ndryshuar Shqipëria 2-3 vitet e fundit, e cila ka krijuar një bazë talentesh dhe një komunitet njësoj si në Izrael, apo edhe në vendet e tjera. Tirana është zhvilluar shumë si qytet dhe ato çka ofron janë shumë të rëndësishme për teknologjinë. Me 1 vit ose 2 vjet shkollë në Tumo merrni njohuritë e duhura që ju të punoni në të gjithë botën,” shprehet Daniel Schroeder, CMO, SIEMENS Mobility Software i ftuar në festival.

Menaxherja e TUMO-s, Shqipe Berisha, thotë se çdo javë në këtë qendër mësojnë 1500 studentë. “Tashmë bëjmë 2 vjet që jemi hapur dhe rreth 1500 studentë vijnë çdo javë në Tumo për të mësuar aftësi dixhitale, si graphic design, robotikë, etj. Mezi po presim të kalojmë te Piramida, sepse këtu jemi në kufijtë e maksimumit të kapacitetit dhe te Piramida do të dyfishohemi,” u shpreh ajo.

“Tirana u bë kohë që është kryeqyteti i zhvillimit dixhital në Shqipëri, por është dhe një nga ato qytetet që po rilind nëpërmjet teknologjisë. Edhe në rajon ka marrë një vëmendje shumë të lartë, jo vetëm nga kompani të huaja, por ka marrë vëmendje edhe nga “nomadët dixhitalë”, të cilët mund të përdorin Tiranën si një bazë pune, por edhe një ambient ku ata mund të bashkëpunojnë me një komunitet të caktuar,” tha Arjan Ymeri, “ Ofiçina” Center.

Edhe Dean Kuchel, një Digital Nomad shprehet se Shqipëria, por dhe gjithë Ballkani, është kthyer në një destinacion për nomadët digjitalë.