Lajme

Tre veta dënohen me burg për seks me 15-vjeçaren – njëri, me dëbim nga Zvicra

Ai u dënua me  burgim të pjesshëm prej 36 muajsh, me tetë muaj burg efektiv dhe gjobë me kusht. Ai është i vetmi që dëbohet nga Zvicra, për shtatë vjet

Gjykata e Qarkut e St.Gallenit ka dënuar tre veta me burgim për akte seksuale me një vajzë të mitur. I pandehuri kryesor dëbohet nga vendi për shtatë vjet. Dy të akuzuarit e tjerë lejohen të qëndrojnë në Zvicër.

Tre të akuzuarit, të moshave 21 deri në 22 vjeç që qëndruan para trupit gjykues të hënën ishin akuzuar për kryerjen e njëpasnjëshme të marrëdhënieve seksuale me një vajzë 15-vjeçare në një dhomë të marrë me qira nga disa veta.

Personi i cili në atë kohë ishte i dashuri i saj, u akuzua gjithashtu për përdhunim dhe dhënie të substancave të dëmshme për fëmijët, transmeton albinfo.ch. Një tjetër akuzë ndaj tij thoshte se ai kishte përfituar nga situata e paqëndrueshme psikologjike e të miturës, e kishte shtyrë ata të kryente marrëdhënie seksuale në grup dhe e kishte bërë të besonte se kjo ishte krejtësisht normale.

Të akuzuarit mbrohen kundër akuzave

Pasditen e së mërkurës, Gjykata e Qarkut ka shpallur vendimin kundër  3 personave të lindur dhe rritur në St.Gallen por pa shtetësi zvicerane.

Të tre kishin kontestuar në seancën gjyqësore të kishin pasur akte seksuale me një të mitur. Dy prej tyre u akuzuan edhe për delikte të tjera, për shumicën e të cilave kanë kërkuar të shpalleshin të pafajshëm, shkruan tagblatt.ch.

Prokuroria publike kishte kërkuar për të akuzuarit burgim me kusht ose pjesërisht me kusht dhe dëbim nga vendi prej pesë deri në shtatë vjet. Nga ana tjetër, mbrojtja kërkonte dënime dukshëm më të buta dhe mbi të gjitha heqje dorë nga dëbimet nga vendi. Për njërin nga të akuzuarit, avokati mbrojtës ka kërkuar lirim të plotë nga fajësia dhe dënimi.

Dëbohet nga vendi për shtatë vjet

Ish- i dashuri i vajzës, një 21-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, u shpall i pafajshëm sa i përket akuzës së dhënies së substancave të dëmshme për fëmijët.

Por ai u shpall fajtor për akuzat e përdhunimit të shumëfishtë, akteve të shumta seksuale me fëmijë, pornografisë, shkeljeve kundër Ligjit për Narkotikët, mashtrimit komercial, drejtimit të një automjeti pa patentë shoferi dhe shkeljeve kundër Ligjit për Armët, përcjell albinfo.ch. Ai u dënua me  burgim të pjesshëm prej 36 muajsh, me tetë muaj burg efektiv dhe gjobë me kusht. Ai është i vetmi që dëbohet nga Zvicra për shtatë vjet.

I akuzuari i dytë, një kosovar 22-vjeçar, u shpall fajtor për akte seksuale me fëmijë, për posedim materialesh të shumta pornografisë së rëndë, imazhe të shumta të dhunës, shkelje të thjeshtë të rregullave të trafikut dhe mosdhënie të targave pavarësisht kërkesës zyrtare. Gjykata e Qarkut e St.Gallent  e dënoi atë me një dënim me burg me kusht prej gjashtë muajsh, me gjobë me kusht dhe me gjobë.

I akuzuari tretë, një 21-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, u dënua gjithashtu për përfshirje në marrëdhënie seksuale me të mitur, transmeton albinfo.ch. Ai u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht.

Këtyre dy të akuzuarve, gjykata nuk u ka shqiptuar masën e dëbimit nga vendi, për shkak se hyjnë në kateorinë e “rasteve të rënda”.

Po ashtu, të tre të pandehurve u është ndaluar përjetësisht puna me të mitur.

Deklaratat e vajzës janë të besueshme

Kryetari i trupit gjykues është shprehur se deklaratat e vajzës ishin të besueshme. Mbi të gjitha, ajo nuk e rëndon tej mase të akuzuarin, por deklaron, për shembull, se ajo se seksi në grup, në të cilin ishin përfshirë gjithsej shtatë meshkuj, ishte bërë në marrëveshje me të.

Nga ana tjetër, deklaratat e të akuzuarve ndonjëherë janë të vështira për t’u kuptuar dhe kontradiktore. Ata kishin “mbuluar” njëri-tjetrin me deklarimet e tyre.

Aktgjykimet nuk janë ende të plotfuqishme.