“Verdingkinder”, fëmijët robër kërkojnë dëmshpërblim

Duke qenë se llogaritet se ende gjallë janë rreth 10.000 të tillë, llogaria e përafërt do të ishte rreth 1.2 miliard franga

„Verdingkinder”, është një fenomen zviceran i diskriminimit të fëmijëve pa prindër, i përhapur nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë deri rreth vitit 1950. Fëmijët pa prindër, me nëna pa bashkëshortë ose të cilët u merreshin prindërve për shkak të paaftësisë së tyre për t`i rritur, dorëzoheshin në familje bujqësore, ku ata u nënshtroheshin një shfrytëzimi të skajshëm dhe nuk kishin kurrfarë të drejtash.

Viteve të fundit, dhe veçanërisht muajve të fundit, kanë filluar lëvizje të ndryshme që kërkojnë rehabilitimin dhe zhdëmtimin e kësaj kategorie të diskriminuar.

Qeveria federale ka bërë të ditur se në pranverën që vjen do të kërkojë falje publike ndaj “verdingkinder”-ëve, fëmijëve robër, por nuk do të japë kurrfarë dëmshpërblimi për ta. Nga ana tjetër rrjeti “Netzwerk-verdingt” kërkon pikërisht zhdëmtim financiar.

Kryetari i saj, Walter Zwahlen ka thënë për mediet zvicerane, se përveç kërkimit të faljes, duhet edhe zhdëmtimi material i tyre. Sipas tij llogaritet që për secilin fëmijë-rob të tillë që jeton akoma, të kërkohen nga 100 mijë deri në 120 mijë franga dëmshpërblimm. Duke qenë se llogaritet se ende gjallë janë rreth 10.000 të tillë, llogaria e përafërt do të ishte rreth 1.2 miliard franga.